Dhuna ndërpret ndeshjen në Beograd

14/10/2014 00:00

Ndeshja Serbi-Shqipëri që në fillimin e saj u pa se do të ishte e tensionuar. Himni ynë kombëtar u vërshëllye gjatë nga tifozët serbë, të cilët vijuan më pas me sharje në kor ndaj shqiptarëve.

Ky presion i madh ndikoi edhe te lojtarët vendas, të cilët mesa duket morën zemër nga kjo eufori e tepruar e tifozëve dhe bënë disa ndërhyrje tepër të ashpra ndaj lojtarëve tanë.

2 rastet e Canës dhe Mavrajt, në minutat e 35’ dhe 38’, e agravuan situatën te tifozeria serbe, e cila filloi të hidhte në fushë sende të forta dhe fishekzjarre. Por, më pas në stadium u shfaq një minihelikopter i telekomanduar, në të cilin valëvitej harta e Shqipërisë së Madhe, nën ngjyrat e flamurit shqiptar dhe me mbishkrimin “Autoktonë”.

2 lojtarë të Serbisë, mes të cilëve edhe Mitroviç, tentuan të grisin flamurin shqiptar në mes të fushës, por përpjekjet e tyre u ndërprenë nga Xhaka dhe Lila, të cilët u konfliktuan me ta duke marrë në mbrojtje flamurin kuqezi.

Në këto momente situata në stadiumin e Beogradit kishte dalë jashtë kontrollit. Disa tifozë kaluan kordonin e policisë dhe sulmuan lojtarët kuqezi në fushë dhe ata në pankinë.

Në fushë është shfaqur dhe Ivan Bogdanoviç, huligani serb i cili pak kohë më parë i vuri flakën flamurit shqiptar gjatë ndeshjes Itali-Serbi, që u zhvillua në Xhenova.

Duke parë situatën e rënduar në fushë, gjyqtari i ndeshjes vendosi që lojtarët e të dyja skuadrave të riktheheshin në dhomat e zhveshjes. Paaftësia e policisë u tregua edhe gjatë këtij momenti, kur futbollistët e kombëtares shqiptare u sulmuan nga tifozët vendas gjatë hyrjes në tunel.

“Një pjesë e lojtarëve tanë janë goditur, qoftë në fushën e lojës nga tifozë që hynë në fushë, qoftë në tunelin duke hyrë në dhomat e zhveshjes. Në raste të tilla, kur fusha invadohet nga tifozë dhe ku dëmtime individësh, automatikisht ndeshja merret në tavolinë me rezultatin 3-0. Kjo është shumë e qartë, që kjo ndeshje i takon Shqipërisë në tavolinë”, u shpreh shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.

“Kur ne ishim në dhomat e zhveshjes dhe gati për t’u nisur drejt aeroportit, erdhi policia serbe dhe nisi kontrollin për të gjetur helikopterin që fluturoi mbi fushë, duke menduar se atë e kishin marrë lojtarët tanë. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse lojtarët tanë nuk e kanë atë helikopter. Më bëri përshtypje, sepse ka qenë një organizim shumë i mirë nga Federata Serbe, policia serbe, çdo gjë ka qenë e kontrolluar, por ajo që ndodhi gjatë ndeshjes ka qenë e papritur nga ne. Më e keqja është se në momentin që kemi qenë ne tunel, ne jemi gjuajtur nga policia serbe, duke mos na lënë të futeshim nëpër dhoma”, shprehet menaxheri i kombëtares, Alban Bushi.

“Çunat kanë disa dëmtime fizike, shumica në fytyrë e në trup, por asgjë e rëndë. Në përgjithësi çdo gjë është mirë. Policia nuk na ka sjellë askund, ne jemi munduar të vetëmbrohemi”, deklaroi pas ndeshjes kapiteni Lorik Cana.

Pas një pritjeje të gjatë dhe pas largimit të tifozëve serbë nga stadiumi, stafi i kombëtares shqiptare, bashkë me gazetarë dhe ata tifozë të paktë shqiptar, janë larguar nën masa të rrepta sigurie drejt aeroportit të Beogradit. E gjithë rruga deri në aeroport ka qenë nën kontrollin e forcave policore.

Top Channel