Festë në Prishtinë e Tiranë

15/10/2014 00:00

“Mijëra kosovarë janë mbledhur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Më shumë se ndeshje futbolli, për tifozerinë e zjarrtë të kombëtares është ndienja nacionale. Kjo vërehet edhe nga brohoritjet, si “UÇK”, “Shqipëri Etnike” dhe ato kundër Serbisë”.

Për ta përjetuar emocionin e tifozerisë së kombëtares, në kryeqytetin kosovar doli edhe i pari i Komunës, Shpend Ahmeti.

“Është tepër e rëndësishme për Komunën, kur dihet që gjithë Prishtina, gjithë Kosova dhe gjithë kombi është në ethe. Ne e prisnim me padurim këtë takim, prandaj nuk kishte si të mos organizohej kjo sonte. Shikoni se çfarë atmosfere, më mirë se sa edhe në stadium”, deklaroi i entuziazmuar Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës.

Momenti kulminant për tifozët në Prishtinë ishte valëvitja e flamurit kombëtar mbi stadiumin e Partizanit në Beograd.

Kujdesi për flamurin kombëtar në stadiumin e Beogradit nga futbollistët tanë dhe vendimi për ndërprerjen e detyrueshme të ndeshjes shtuan edhe më shumë festën në qendër të Prishtinës.

Transmetimin direkt të ndeshjes përmes ekranit të madh, për mijëra tifozë kosovarë e mundësoi Komuna e Prishtinës, Digitalb dhe Tifozët KuqeZi.

Festime në Tiranë
Tifozët mbushin rrugët e kryeqytetit me flamuj kuqezi

Menjëherë pas ndërprerjes së ndeshjes në Beograd, mijëra tifozë vërshuan në rrugët e Tiranës me flamuj kombëtar, duke festuar për atë që ata e cilësojnë fitore, pasi Shqipëria do të marrë 3 pikët për shkak të sjelljes së tifozëve.

Festa e nisur në sheshin “Italia”, aty ku Digitalb kishte vendosur monitor për ndjekjen e ndeshjes nga të gjithë tifozët, është shtrirë më pas në të gjitha rrugët e Tiranës, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e deri në sheshin “Skënderbej”.

Top Channel