Incidenti në mediat ndërkombëtare

15/10/2014 00:00

“Eliminatorja e ngarkuar politikisht, Serbi-Shqipëri braktiset pasi sulmuesi serb shqyen flamurin shqiptar të lëshuar mbi një pajisje fluturuese të telekomanduar. Nga këtu plas sherri e përplasjet”.

Për “Daily Mail”, ndeshja e futbollit në stadiumin “Partizani” u braktis në mënyrë dramatike. UEFA, shkruan e përditshmja britanike, i ndaloi vërtet tifozët shqiptarë të hynin në stadium, por nga ana tjetër e lejoi përballjen mes dy vendeve edhe pse njihej shumë mirë ngarkesa e tensioneve politike, e për rrjedhojë incidentet nuk ishin të paparashikueshme.

Nga gjigandët e informimit si BBC, CNN e Reuters, të gjithë raportojnë si momentin e ngërçit fluturimin e shumëdiskutuar të flamurit mbi stadium dhe grisjen e tij nga lojtari serb, çka nxiti ortekun e zemërimit shqiptar.

Reuters citon kapitenin e Serbisë, Branislav Ivanoviç të pohojë se ajo çfarë ndodhi ishte diçka e pakuptueshme për momentin. “Në emër të ekipit tim mund të them se të gjithë deshëm ta vazhdonim ndeshjen dhe i mbrojtëm lojtarët shqiptarë në çdo hap të tyrin, deri tek tuneli. Ekipi shqiptar ishte ai që u shpreh i paaftë fizikisht e mendërisht për të vazhduar”, tha Ivanoviç.

Agjencia e njohur e lajmeve përcjell dhe deklaratën e kapitenit të kombëtares shqiptare Lorik Cana, që tha se i ka parë lojtarët të sulmohen e goditen edhe brenda tunelit, madje edhe nga punonjësit e shërbimit.

Zëdhënesi i UEFA-s, Pedro Pinto pohoi për “Associated Press” se, si serbët dhe shqiptarët kanë kohë deri të mërkurën e ardhshme t’i përgjigjen organit drejtues të futbollit europian. Vetë presidenti Michel Platini u shpreh thellësisht i trishtuar nga sa ndodhi në kryeqytetin serb.

“Futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe ndeshjet nuk duhen përzierë me politika të asnjë lloji. Skenat e mbrëmjes së shkuar në Beograd ishin të pafalshme”, deklaroi Platini.

Edhe shefi i FIFA-s, Sepp Blatter ka reaguar. “Futbolli nuk duhet përdorur kurrë për mesazhe politike. E dënoj me forcë atë çfarë ndodhi dje në Beograd”, është shprehur Blatter.

Të gjitha gazetat britanike i kanë kushtuar artikuj të veçantë zhvillimit që mori ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë. “The Indipendent” kishte zgjedhur si titull: “Dhunë teksa Shqipëria dhe Serbia takoheshin në fushë që prej 1967-s”.

“Futbolli në luftë” është titulli që ka zgjedhur tabloidi më i madh britanik “The Sun”, ku theksohet se arbitri anglez Martin Atkinson dhe lojtari i Chelsea Branislav Ivanoviç u ndodhën në qendër të kaosit pasi vetë Ivanoviç dhe lojtari tjetër Mitroviç rrëmbyen një baner me flamurin shqiptar.

Ndërsa “The Guardian” shkruan se provokimet e dhuna tregojnë se “mësimet e së shkuarës nuk janë nxënë” dhe se pas sherrit që ndërpreu ndeshjen pritet të ketë sanksione.

Ngjarja e rëndë në stadiumin “Partizani” të Beogradit ka gjetur pasqyrim të gjerë edhe në shtypin italian, spanjoll e atë francez.

Top Channel