“Ebola po e fiton garën me kohën”

15/10/2014 00:00

Garën me kohën po e fiton Ebola, paralajmëroi shefi i misionit të OKB-së për sëmundjen e rrezikshme, gjatë informimit të Këshillit të Sigurisë mbi situatën.

Bota nuk po e mban dot ritmin e nevojshëm për frenimin e virusit vrastar, ndërsa muaji Dhjetor rrezikon të sjellë me mijëra infektime të reja.

“Ebola po vrapon më shpejt se ne dhe është duke e fituar këtë garë. Nëse nuk arrijmë ta vëmë nën fre, nëse nuk përmbushim dot objektivat tona dhe numri i të sëmurëve rritet në mënyre dramatike, siç parashikojnë disa, atëherë plani që kemi ndërmend nuk i përgjigjet dot përmasave të krizës së re”, tha Anthony Banbury, shef i misionit të OKB-së për Ebolën.

Sipas Banburyt, nevojiten më shumë fonde për ndërtimin e qendrave mjekësore e për shtimin e personelit të specializuar.

Pak përpara deklaratës së tij, Organizata Botërore e Shëndetësisë la të kuptohej se po të vazhdohet me këtë ritëm infektimi, e po nuk u shtuan përpjekjet për frenimin e epidemisë, brenda dy muajve të ardhshëm numri i rasteve të reja në javë mund të mbërrijë deri në 10 mijë.

Që bota nuk po bën sa duhet përballë kërcënimit të Ebolës, këtë e pohoi të martën edhe Presidenti amerikan Barack Obama. Kriza do të përbëjë boshtin e një videokonference, që shefi i Shtëpisë së Bardhë ka ndërmend të mbajë sot me liderët britanikë, francezë, gjermanë e italianë.

Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet shëndetësore kanë këshilluar të gjithë spitalet të rishikojnë mënyrat që përdorin për kujdesin ndaj të sëmurëve me Ebola, pas rastit të parë në vend, ku virusi u transmetua nga një pacient te një infermiere.

Por, edhe kjo çështje ka shkaktuar debate më vete. Kreu i Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, Thomas Frieden, deklaroi se ka pasur shkelje të protokollit, por kolegët e infermieres 26-vjeçare, Nina Pham, thonë se kanë punuar për ditë të tëra pa veshje mbrojtëse dhe se kishin marrë shumë pak udhëzime mbi parandalimin e përhapjes së virusit.

Top Channel