SHBA përshkallëzon sulmet në Kobane

15/10/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara e përforcuan fushatën ajrore në Kobane, duke shtuar ndjeshëm nivelin e sulmeve mbi pozicionet e militantëve të ISIS-it përreth qytetit të rrethuar siriano-kurd.

21 goditje në dy ditë dëshmojnë një ashpërsim të ndjeshëm të mësymjes amerikane, e cila ka prodhuar rezultat në terren me ngadalësimin e avancimit të xhihadistëve. Por, në parashikimet e Barack Obamës, lufta kundër Shtetit Islamik ka për të qenë e gjatë dhe e vështirë.

“Ky është një operacion që përfshin të gjithë botën. Sigurisht do të ketë momente progresi, por edhe pengesa e vështirësi. Aleatët janë tepër të shqetësuar nga situata në Kobane. Gjendja në terren mbetet fluide me ISIS-in që kërkon të zaptojë territorin dhe milicinë kurde, që nuk resht së bëri rezistencë”, tha Barack Obama.

Komentet e tij, Presidenti amerikan i bëri gjatë takimit me krerët ushtarakë të 22 vendeve, që iu bashkuan koalicionit anti-ISIS. Por, një mandat të OKB-së për ndërhyrje kundër Shtetit të rrezikshëm Islamik, mund të mos ketë.

Ekspertët kujtojnë se për çdo vendim, që është dashur të merret në lidhje me Sirinë në këtë oragnizëm, është bllokuar nga Rusia e Kina.

Edhe po ndodhi ndonjë mrekulli, thonë ata, si fillim do t’iu kërkohet vendeve të rajonit të luftojnë me trupa tokësore, ndërsa Turqia që tani e ka bërë të qartë se nuk e ka në plan një skenar të tillë, e shembullin e saj mund ta ndjekin edhe të tjerët.

ISIS-i ka aktualisht nën kontroll gati gjysmën e Kobanes, nga ku janë larguar mbi 160.000 vetë. Marrja e qytetit strategjik do t’i jepte grupit militant epërsi të ndjeshme në një pjesë të mirë të kufirit siriano-turk.

Top Channel