“Respekto edhe të gjallët”

15/10/2014 00:00

Fushata “Respekto edhe të gjallët”, nismë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe realizim i agjencisë “McCann Tirana”, fitoi çmimin “Silver Drum” në edicionin e sivjetshëm të festivalit “Golden Drum”, mbajtur në Slloveni.

Kjo ishte hera e parë, që vendi ynë prezantohej në festivalin prestigjioz të organizuar në këtë vend, prej më shumë se 2 dekadash. “Golden Drum” konsiderohet njëri prej organizimeve më të rëndësishme të industrisë së marketingut dhe publiciteteve në Europën Qendrore dhe Lindore.

Marrja e një çmimi të tillë shënon një zhvillim të rëndësishëm për tregun e publiciteteve në Shqipëri dhe mund të shërbejë si një rast motivues edhe për agjenci të tjera, që të ndjekin të njëjtën rrugë. I rëndësishëm është edhe fakti, që nderimi nuk u bë në kuadër të një publiciteti komercial, por si vlerësim i punës krijuese dhe rezultateve të një fushate në funksion të komunitetit dhe me impakt shoqëror.

“Respekto edhe të gjallët”, kushtuar rritjes së ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore, u zbatua për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe fitoi “Silver Drum” në kategorinë e Eventeve.

Fushata e ideuar nga Flonia Gjollma tërhoqi me efikasitet vëmendjen mbi problematikën e sigurisë rrugore, me qëllim vetëdijësimin e shoferëve dhe këmbësorëve mbi rëndësinë e respektimit të rregullave, duke krijuar debat publik dhe duke u shpërndarë gjerësisht në internet.

Top Channel