Serbi-Shqipëri, më 23 tetor vendimi

15/10/2014 00:00

Komisioni i Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s do të mblidhet më datë 23 tetor për të dhënë vendimin mbi sfidën e ndërprerë mes Shqipërisë dhe Serbisë.

UEFA njoftoi në faqen e saj zyrtare nisjen e hetimeve si për Serbinë, si organizatore e ndeshjes, ashtu edhe për Shqipërinë.

Serbët akuzohen për hedhjen e sendeve të forta, fishekzjarreve dhe objekteve të tjera të rrezikshme në fushë, trazira në shkallët e stadiumit, hyrje në fushë e tifozëve, mosmarrjen e masave të nevojshme për zhvillimin normal të ndeshjes dhe drejtim lazerash ndaj futbollistëve kundërshtarë.

Ndërkohë, Shqipëria do të hetohet për refuzimin e vazhdimit të lojës dhe shfaqjen e banerave të paligjshëm në stadium.

Ndeshja në Beograd u braktis pas kaosit për shkak të një minihelikopteri të telekomanduar, i cili shfaqi një flamur të Shqipërisë së Madhe në fushën e lojës, duke nxitur kështu një përleshje mes lojtarëve dhe dhjetra tifozëve.

Gjyqtari Martin Atkinson urdhëroi menjëherë lojtarët të dilnin nga fusha, pas incidentit, i cili ndodhi në fund të pjesës së parë (pas minutës së 41). Ata u drejtuan për në tunelin e dhomave të zhveshjes, por sërish u sulmuan me sende të forta. Pas rikthimit të rendit lojtarët e Shqipërisë refuzuan të ktheheshin në fushë, duke mos lënë asnjë alternativë veç anullimit të ndeshjes.

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kritikoi gjithçka ka ndodhur.

“Futbolli supozohet t’i bashkojë njerëzit dhe loja jonë nuk duhet ngatërruar me politikat e çfarëdolloji. Skenat në Beograd natën e kaluar, ishin të pafalshme”, thotë Platini, ndërkohë që shefi i FIFA-s Sepp Blatter, shton edhe më tej dënimin.

Mediat lokale në Beograd pretendojnë se minihelikopteri që mbante flamurin kontrollohej nga brenda stadiumit, nga vëllai i kryeministrit të Shqiërisë, Olsi Rama, i cili ndodhej në tribunën VIP. Ai u arrestua fillimisht, e ma pas u lirua.

Top Channel