Nisma për të shtyrë shtatzaninë

15/10/2014 00:00

20 mijë dollarë bonus për të ngrirë vezët e për të shtyrë shtatzaninë, në mënyrë që të punojnë më shumë.

Iniciativa e rrjetit social Facebook, e ndjekur nga gjiganti i teknologjisë Apple, ka ngjallur polemika pafund.

Çfarë është ajo, – thonë kritikët, – një mundësi për femrat që punojnë, një element lirie më shumë apo mesazhi i gabuar që i dërgohet shoqërisë në të cilën jetojmë sot?

Punëdhësit e përkufizojnë thjesht si ndihmëse për një pengesë të mundshme në karrierën e grave dhe vajzave. Megjithatë, nuk e mendojnë kështu të gjithë.

A është e drejtë, – pyesin disa, – të mbështesësh një shoqëri, ku je i detyruar të punosh aq shumë sa të mos jesh i zoti as të rrisësh fëmijët e tu? Të tjerë duan të dinë përse në krye të kësaj lëvizjeje janë vendosur pikërisht kompani të “Sillicon Valley”-t, të konsideruar ende maskiliste për nga kultura dhe përbërja e forcës punëtore?

Ashtu si shumë sipërmarrje të tjera të ekonomisë dixhitale, edhe grupi i themeluar nga Steve Jobs i ofron plot përfitime punonjësve të tij, duke nisur nga zëvendësimi i mencave industriale me restorante të mirëfillta, shërbime të pastrimit kimik, e deri dhe masazhe.

Facebook-u shkoi edhe më tej, duke i shtuar serisë së ndihmave edhe 4.000 dollarë “cash” për lindjen e çdo fëmije, e 15.000 dollarë në dispozicion të atyre që kanë nevojë për trajtim kundër sterilitetit.

Megjithatë, hapi i radhës, oferta për ngrirjen e vezëve të femrave, nuk është mirëpritur nga të gjithë. Rrjeti social e kishte përfshirë një nismë të tillë në sigurimin shëndetësor të punonjësve, që prej muajit Janar, por vetëm tani është bërë publike.

Top Channel