F1, Marussia kundër gazetës ‘Bild’

15/11/2014 00:00

“Jemi të tronditur dhe të zemëruar!” Kjo është përgjigja që skuderia Marussia i ka dhënë lajmit të publikuar nga gazeta gjermane ‘Bild’ mbi aksidentin e Jules Bianchi.

Sipas ‘Bild’-it, skuderia ka nxitur pilotin francez të rriste shpejtësinë për të kapur Caterhamin e Ericssonit, edhe pse kushtet e pistës ishin shumë të vështira në cirkuitin e Suzukës.

“Në kohën që piloti ynë është i plagosur rëndë në spital dhe skuadra ka sqaruar se prioritet është mirëkuptimi për të dhe familjen e tij, duhet t’i përgjigjemi disa lajmeve shokuese dhe të pasakta mbi rrethanat e aksidentit. Jules uli shpejtësinë kur dolën flamujt e verdhë. Këtë gjë e tregon telemetria që skuadra i ka paraqitur FIA-s”, lexohet në komunikatën e skuderisë Marussia.

Gjithashtu, Marussia saktëson se “është e qartë nga komunikimet në radio që në asnjë moment nuk i është dhënë urdhër pilotit për të shtuar shpejtësinë”.

Top Channel