Pala serbe po kërkon t’i ikë përgjegjësisë që mban për dhunën e shkaktuar në stadiumin e Beogradit në ndeshjen e ndërprerë me Shqipërinë.

Menjëherë kanë nxituar deklaratat nga ana e zyrtarëve serbë që kanë dënuar atë që e quajnë “provokim të rëndë”. Por tifozeria serbe është e njohur për sjelljet e saj huligane nëpër stadiume dhe për urrejtjen ndaj shqiptarëve.

E marrim të mirëqenë faktin që minihelikopteri me hartën e Shqipërisë etnike ishte shkaku i gjithë trazirave të mbrëmjes së martë, po në ndeshjen e 2010 mes Italisë dhe Serbisë në Xhenova, kush provokoi tifozerinë serbe që dogji flamurin shqiptar dhe hodhi flakadanë në fushë?

Edhe ky takim u ndërpre nga gjyqtari pasi u ra dakort që ishte e pamundur të garantohej siguria në stadiumin e Xhenovas. Në atë kohë, Ivica Daçiç në rolin e Ministrit të Brendshëm të Serbisë fajësonte autoritetet italiane, të cilat sipas tij duhej të kishin marrë masat për të mos lejuar futjen e objekteve flakëhedhëse dhe pajisjeve të tjera që prishën takimin.

Së fundmi Daçiç, por këtë herë në cilësinë e Ministrit të Jashtëm serb deklaron një tjetër qendrim. “Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e ndeshjes”, thotë ai.

Top Channel