Bushati: Shqiptarët u dhunuan, kërkojmë hetim

15/10/2014 00:00

Në të parën deklaratë të qeverisë shqiptare përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati hidhen poshtë të gjitha pretendimet e krerëve më të lartë serbë, për provokim nga ana e shqiptarëve në stadiumin “Partizani” i Beogradit.

Përballë dezinformimit dhe propagandës së krerëve më lartë të shtetit serb dhe medias së këtij vendi, numri një i diplomacisë shqiptare ndjeu detyrimin të bënte një pasqyrim të situatës, që mesa duket pati vetëm fundin me dhunën e shfaqur në stadium.

Ministri Bushati deklaroi se homologu i tij serb Ivica Daçiç nuk i ishte përgjigjur kërkesës për komunikim që prej orës 15 të ditës së djeshme, kur gazetarët dhe biznesmenët që udhëtonin drejt Beogradit u bllokuan në aeroport.

Ndryshe nga kryministri serb dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, për qeverinë tonë, ajo që ndodhi në stadium ishte përdhosje e simboleve kombëtare shqiptare.

“Në fillim të ndeshjes, në prani të autoriteteve më të larta të shtetit serb, tifozët në stadium kanë përdhosur himnin kombëtar dhe simbolet tona. Turma prej mijëra tifozësh serbë shpërthyen në thirrje urrejtjeje dhe britma kërcënuese si ‘vritni shqiptaret’”, deklaroi Bushati.

Sipas tij, nuk është pretendim, por fakt i filmuar se lojtarët e kombëtares sonë janë dhunuar fizikisht edhe nga rojet e sigurisë së stadiumit. Ministri i kërkoi shtetit serb që përpara fyerjes dhe akuzimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të kryejë hetime mbi pretendimet e tij.

“Shqipëria kërkon hetim. I nxit autoritetet serbe që çdo pretendim për çdo shtetas shqiptar që ka qenë prezent në stadium ta faktojë. Por kërkon edhe në mënyrë të qartë e të prerë distancimin ndaj akteve të dhunës dhe urrejtjes që ne besojmë se nuk kanë të bëjnë me opinionin e shëndosh serb”, u shpreh Bushati.

Qëndrimi i kombëtares dhe shtetasve shqiptarë në stadium ishte ai i dëshmisë së një qytetarie të lartë, tha ministri Bushati, i cili disa herë përsëriti se akti i djeshëm tregoi dallimin e qartë mes dy vendeve, kur shqiptaria ka të çimentuar orientimin pro-perëndimor dhe përkatësinë europiane, duke parë në këtë këndvështrim edhe vendimin për vizitën në Beograd pas një jave të kryeministrit Edi Rama, e cila tashmë duket se është vënë në pikëpyetje.

“Qëllimi, objektivat dhe vizioni i qeverisë sonë dhe vizitës së pritshme të kryeministrit në Serbi është jashtëzakonisht i kthjellët, por ndërkohë të gjitha opsionet janë të hapura”, theksoi Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare edhe me më forcë dënoi qëndrimin e homologut të tij, Ivica Daçiç që tregoi standard të dyfishtë me atë të katër viteve më parë në Xhenova të Italisë.

“Më vjen keq që edhe Ivica Daçiç dhe kryeministri Vuçiç nuk kanë gjetur kurajon të denoncojnë të gjitha incidentet e ndodhura para, gjatë dhe pas ndeshjes. Jam thellësisht i keqardhur për këtë situatë”, u shpreh Bushati.

Po aq pak dakord shefi i diplomacisë shqiptare u duk të ishte dhe me deklaratën e zëdhënëses së BE, që e cilësoi ‘akt provokues’ banderolën në stadiumin e Beogradit. “Qëndrimi i zëdhënëses, për ironi vjen një ditë pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komisionit Evropian dhe UEFA-s për promovimin e vlerave të sportit, kundër dhunës dhe kundër racizmit”, shtoi ai.

Top Channel