Prishtina, në festë edhe të mërkurën

15/10/2014 00:00

Nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë kanë dalë të mërkurën paradite në sheshin “Zahir Pajaziti”, në mbështetje të kombëtares shqiptare për ndeshjen me Serbinë.

Të emocionuar nga ajo që panë gjatë ndeshjes, por edhe të nxitur nga ngjarjet e dhunës që çuan në ndërprerjen e lojës, nxënësit e kryeqytetit kosovar dolën të mërkurën në rrugë me simbole kombëtare me të cilat shkuan dhe në shkolla.

Nxënësit u shprehën të kënaqur me përfaqësimin që lojtarët e kombëtares u bënë shqiptarëve në Beograd. Ndër ata që kishin dalë të festonin ishte edhe kushërira e Etrit Berishës, portieri i kombëtares shqiptare.

Ndërkohë, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka bërë një apel drejtuesve të kombëtares shqiptare që të udhëtojnë në Kosovë për të qëndruar pranë edhe tifozëve kosovarë.

Gjithashtu, përmes profilit të tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se, “ngjarjet e së martës në Beograd duhet ta shtyjnë politikën e jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë të jetë një dhe në nivel të detyrës”.

Qytetari i parë i Prishtinës ka përsëritur kërkesën për kryeministrin shqiptar Edi Rama, që të anulojë vizitën e parashikuar në Serbi.

Top Channel