“Përse u zhvillua ndeshja?”

15/10/2014 00:00

Zhvillimet e ndeshjes Shqipëri-Serbi nuk i shpëtuan syrit të vëmendshëm të mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë komentuar incidentet nga këndvështrime të ndryshme.

Në një artikull të prestigjozes ‘Washington Post’ të titulluar “Përse UEFA lejoi zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Serbi?”, gazeta amerikane që në fillim shkruan se kjo është pikëpyetja e madhe që gjithkush duhet të ngrejë përpara se të gjykojë të dyja palët.

Në parantezë, ‘Washington Post’ sjell në kujtesë rastet e ndeshjeve Armeni – Azerbajxhan dhe Spanjë – Gjibraltar, të cilat edhe pse shorti i kishte vënë përballë njëra-tjetrës, loja nuk u zhvillua për shkak të situatave të agravuara mes vendeve për arsye territoriale.

Pra, gazeta amerikane nënvizon se do ishte më mirë nëse do ishte ndjekur e njëjta taktikë nga UEFA edhe me ndeshjen Shqipëri-Serbi. Sipas artikullit, që në koncept loja nisi gabim pasi u zhvillua në kushte të pabarabarta për ekipet. Trazirat kishin nisur nga serbët që më herët nëpër rrugët e Beogradit, me ovacione të turmës të shprehur në mënyra nga më të ndryshmet, duke përfituar edhe nga mungesa e tifozerisë shqiptare atje.

‘Washington Post’ e mbyll artikullin me thënien se është e pakuptimtë të mendohej që vendet do të mund ta linin mënjanë historinë qindravjeçare vetëm për një lojë 90-minutëshe. Prandaj, sipas saj, nëse UEFA do kishte vepruar ndryshe, situata nuk do kishte derivuar në akte të shëmtuara si pasojë e nacionalitetit me doza të shfrenuara.

Top Channel