Kinë, bllokohet aksesi në faqen e BBC

15/10/2014 00:00

Aksesi në faqen e internetit të BBC në gjuhën angleze është bllokuar në mbarë Kinën, ka njoftuar korporata britanike.

Drejtori i BBC Global Neës, Peter Horrocks deklaroi se gjithçka duket të jetë një “çensurë e paramenduar”, duke shtuar se BBC po u ankohet autoriteteve.

Faqe të tjera informacioni kanë funksionuar si zakonisht dhe motivet e kësaj ndërprerjeje mbeten të paqarta. Që prej vitit 2008, kur u zhvilluan dhe Lojrat Olimpike të Pekinit, faqja në gjuhën angleze e BBC ka qenë në funksion.

Por shërbime të tjera në gjuhën kineze të rrjetit britanik janë bllokuar sistematikisht që nga nisja e transmetimit. BBC World TV, sikurse të gjithë transmetuesit përtej detit, vuajnë nga blackout-e kur raportojnë ngjarje mbi Kinën. “

BBC ofron lajme të paanshme dhe të besueshme për miliona njerëz në mbarë botën dhe përpjekjet për të çensuruar lajmet tona tregojnë vetëm sesa i rëndësishëm dhe i besueshëm është informacioni ynë”, tha Horrocks.

Herën e fundit që shërbimi i BBC në gjuhën angleze u ndërpre ishte gjatë transmetimit të arratisjes së aktivistit Chen Guangcheng nga arresti i shtëpisë në prill 2012.

Top Channel