Alban Bushi: Orët e tmerrit në stadiumin serb

15/10/2014 00:00

Alban Bushi, menaxheri i kombëtares, ka rrëfyer për ‘Pasdite në Top Channel’ momentet e ankthit që përfaqësuesja e Shqipërisë kaloi në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Ish-sulmuesi flet për krenarinë që ndjeu kur u shfaq flamuri, frikën në dhomat e zhveshjes dhe beson që kuqezinjtë do të marrin 3 pikët në tavolinë.

Gëzim dhe trishtim – Ka qenë dita më e bukur dhe më e trishtë e jetës sime. Dita më e bukur sepse më gëzuan ato dy minuta kur flamuri valëvitej në fushë, pasi nga minuta e parë deri kur u ndërpre loja tifozët serbë vetëm ofenduan. Ishte dita më e trishtë sepse pas kësaj, çdo gjë dukej se do të shkonte drejt tragjedisë. Që kur arritëm në aeroport ishte krijuar një situatë e ngjashme me atë të ardhjes së Papës në Shqipëri: shumë forca policie, rrugët e boshatisura… E qetë si situatë, por nuk është normale një situatë e tillë kur shkon për të luajtur futboll.

Hyrja në stadium – Në hotel dhe në stërvitjen para ndeshjes kemi qenë shumë të qetë. Në momentin që jemi futur në stadium, na kanë pritur shumë keq. Tifozët treguan një urrejtje të jashtëzakonshme ndaj nesh. Gjithë kohës ulërinin “vritni shqiptarët”. Në situata të tilla, ka futbollistë që motivohen, por ka edhe nga ata që bien moralisht.

Nisja e sherrit – Përpara se të dilte flamuri shqiptar në fushë, unë kam dërguar tek arbitri i katërt 4 gura që u hodhën shumë afër pankinës sonë. Pankina serbe ishte ajo që acaroi situatën pasi shumë mirë futbollistët në fushë e zgjidhnin bashkë me arbitrin. Nëse lojtari serb nuk do ia dorëzonte flamurin lojtarit tonë, arbitri mund t’i ndëshkonte të dy me të kuq dhe ndeshja vazhdonte normalisht. Rezervat e Serbisë u futën në fushë kur arbitri po zgjidhte gjithçka. Kur u futën ata në fushë, u detyruam të futeshim edhe ne për të mbrojtur lojtarët tanë. Pas nesh u futën dhe tifozët e aty çdo gjë doli jashtë kontrollit. Policia nuk kishte çfarë të bënte.

Dhuna e policëve serbë ndaj kuqezinjve – Ne lamë fushën pasi mora leje nga arbitri i katërt. Ai na tha që mund të futeshim brenda. Në tunel kanë qenë 10-15 policë që na kanë dhunuar fizikisht. Në fushë nuk kishim frikë, por kur nisën të na godisnin policët, aty kuptuam që ishim të pafuqishëm pasi tek ata i kishim shpresat. Aty u frikësuam. 3 orë në dhomat e zhveshjes kemi pasur shumë frikë.

Presioni i arbitrave – Probleme me lojtarët kundërshtarë nuk kemi pasur aspak. Ivanoviçi dhe Kolarovi kanë ardhur në dhomat tona të zhveshjes, ne kemi shkuar tek ata…
Kanë qenë dy anëtarë të Federatës Serbe ata që na bënin presion për të vazhduar takimin. Edhe arbitri i katërt ka bërë presion për të vazhduar ndeshjen, por ne i thamë që thjesht të na çonte gjallë në Shqipëri. Nëse do dilnim në fushë, mund të kishte vrasje. Imagjino të bënim gol, 30 mijë veta do të hynin në fushë. Garanci nuk kishim fare.

Kontrolli i policisë – Ata duan një justifikim. Puna e flamurit mund të zgjidhej me një gjobë FSHF-së, por futja e tifozëve serbë në fushë është e papranueshme.

Shqetësimi i familjarëve – Vinin shumë mesazhe. Fatmirësisht, prindërit e mi kanë qenë në Greqi dhe nuk kishin aspak dijeni për atë që po ndodhte. Ndërsa bashkëshortja ime e kishte përjetuar shumë keq, ashtu si gjithë shqiptarët.

Vendimi i UEFA-s – Nëse do të zbatohet drejtësia, ne do të marrim 3-pikëshin. Gjithashtu, mund të dënohen disa lojtarë tanët dhe disa lojtarë kundërshtarë për trazirat.

Top Channel