Nishani: Serbët, shovinistë dhe racistë

15/10/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti pasditen e së mërkurës në një takim miqësor përfaqësues të ekipit kombëtar të futbollit dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në takim presidenti u ndal në situatën e rëndë me të cilën kombëtarja shqiptare u ndesh në stadiumin e Beogradit.

“Lojtarët shqiptarë shkuan pa paragjykime, si sportistë dhe profesionistë, por u ndeshën me fyerjen e simboleve tona kombëtare, me thirrje shoviniste dhe raciste, me dhunën e huliganëve dhe pjesëtarëve të stafit të sigurisë në stadium, situatë që e përballuan me dinjitet të lartë”, u shpreh Nishani.

“Ata rrezikuan shumë në emër të dinjitetit dhe simbolikës që mbartin ngjyrat e flamurit kombëtar, si shenjë e identitetit dhe integritetit shqiptar. Ne, shqiptarët dimë të jemi të virtytshëm pa qenë shovenë, dimë të sfidojmë rrethanat, të vetëdijshëm në përkatësinë tonë evropiane dhe në sjellje po aq dinjitoze”, tha kreu i shtetit gjatë takimit.

Më tej, ai theksoi se, asgjë nga ato me të cilat sportistët shqiptarë u ndeshën dje në stadiumin e Beogradit nuk kanë lidhje dhe ngjashmëri me standardet evropiane dhe familjen evropiane ku duhet të shkojnë të gjithë popujt dhe vendet e Ballkanit.

“Mosreflektimi ndaj dhunimit të simboleve tona kombëtare dhe ndaj dhunës huligane është mundësi e madhe që shëmti të tilla të përsëriten. Shqipëria, kombi, ju janë mirënjohës për profesionalizmin, integritetin dhe guximin, cilësi këto që ju nxorën faqebardhë. Ju faleminderit nga zemra”, u tha Nishani futbollistëve.

Top Channel