“Serbia nuk i shpëton dot ndëshkimit”

15/10/2014 00:00

Ndër të paktët gazetarë perëndimorë që ndoqi 40 minutat e ndeshjes në stadiumin e Partizanit në Beograd ishte edhe reporteri britanik i gazetës prestigjoze “The Guardian”, Nick Ames.

Top-Channel e intervistoi zotin Ames nëpërmjet telefonit pak përpara se ai mesditën e së mërkurës të largohej nga Beogradi. Fillimisht ai përshkruan atë që ndodhi në stadium.

“Ishte gjëja me e rëndë që unë kam parë në jetën time gjatë një ndeshjeje futbolli. Kur duheshin edhe 5 minuta nga përfundimi i pjesës së parë gjërat po shkonin mirë, përveç momenteve kur mbështetësit e Serbisë ofendonin lojtarët shqiptarë. Ishte një lojë e fortë për të dyja skuadrat. Pas ardhjes së flamurit shqiptar nisi rrëmuja. Për mua ishte një surprizë e madhe dhe gjithashtu shumë e çuditshme se si tifozët serbë mundën të dilnin në fushë. Është me të vërtetë për të ardhur keq që një ndeshje e tillë futbolli u kthye në një betejë të tillë. Mbetet e çuditshme për mua se si mundën tifozët me shpejtësi të arrin të futeshin në fushë, aq më tepër në një stadium me siguri të lartë posaçërisht për këtë ndeshje. Me të vërtetë nuk e di si ndodhi”, thotë Ames.

Gazetari i “The Guardian” Nick Ames thotë se UEF-a është përpara një vendimmarrjeje të vështirë. Por cila mund të jetë ajo?

“Për të qenë i drejtpërdrejtë mendoj se ndeshja duhet të riluhet në një qytet asnjëanës, në një stadium me dyer të mbyllura për tifozët. Pra, të luhet në një territor asnjëanës, si në Gjermani për shembull. Serbia ndodhet në një situatë ku nuk do të mund t’i shpëtojë ndërshkimit. Nuk do të mbetet pa u ndëshkuar edhe Shqipëria, pavarësisht se unë nuk dua që Shqipëria të ndëshkohet. Do të kemi një hetim të UEFA-s dhe nëse vërtetohet se droni që solli flamurin në stadium ishte vepër e shqiptarëve, atëherë pritet të ketë ndëshkim. Dua të jem i drejtëpërdrejtë me ju në analizën për të dyja palët. Ajo shqiptare nuk duhet ndëshkuar, por duhet të presim vendimin e UEFA-s”, thotë Ames.

Top Channel