Stafeta e simboleve kombëtare

15/10/2014 00:00

Arben Celiku, mjeku i kombëtares shqiptare, mes situatës tepër të acaruar në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjeti momentin dhe çoi deri në fund atë që nisi Xhaka, Lila, Agolli dhe Balaj, për të marrë nën mbrojtje banderolën me simbolet tona kombëtare.

“Në fillim e morën lojtarët serbë, më pas shkoi Andi Lila dhe Taulant Xhaka, më pas Ansi Agolli me Bekim Balën. Kur pashë që dikush erdhi për të goditur Balën, u futa për ta marrë flamurin e për ta çuar në pankinë. Ia dorëzuam delegatit të UEFA-s”, shpjegon mjeku i kuqezinjve.

Celiku thekson se në ato momente thirrjet raciste të 32 mijë tifozëve serb ishin pothuajse të papërfillshme ndaj forcës që të jep mbeshtetja e miliona shqiptarëve anembanë botës: “Flamuri ynë përfaqëson 6 milionë shqiptarë, shumë më tepër se 32 mijë persona. Kur ke atë flamur, ia ke borxh jetën. Ai flamur nuk duhet të përdhoset nga askush.”

Në fund, mjeku i kombëtares tregon se pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në stadiumin e Beogradit, lojtarët dhe stafi i përfaqësueses kuqezi arriti të ruante qetësinë duke mos rënë pre’ e provokimeve të shumta që nisën që në startin e ndeshjes.

“As himnin nuk na e lanë ta këndonim tamam. Ne u treguam me dinjitet dhe të kulturuar”, theksoi Arben Celiku.

Top Channel