Sulmohet ambasada shqiptare në Mal të Zi

16/10/2014 00:00

Ambasada shqiptare në Podgoricë të Malit të Zi në dy ditët e fundit është bërë dy herë objekt sulmesh nga persona të ndryshëm, të cilët kanë shkaktuar jo thjesht dëme në pjesën e jashtme të godinës, por kanë hyrë edhe në brendësi të saj. E gjitha kjo ka ndodhur edhe në praninë e policisë.

Top Channel disponon pamjet ekskluzive të dy ditëve të fundit nga të cilat mund të dallohet lehtësisht se si këta persona me kapuç në kokë për të mos u dalluar kanë kryer sulmet e tyre jo vetëm natën, por edhe ditën dhe në prani të policisë.

Edhe pse policia aktualisht është prezente në ambasadë frika për një sulm të tretë ekziston.

Nga pamjet dallohet qartë se si 3 persona godasin brutalisht godinën duke hyrë edhe në brendësi të saj pasi kanë shkelmuar derën kryesore. Ndërkohë, punonjësi i policisë, i vënë në ruajtje të godinës, qëndron krejtësisht indiferent.

Sipas medias malazeze, 3 personat, të cilët më pas janë arrestuar nga policia vendase kanë thyer xhamat e ambasadës dhe të një lokali të ndodhur pranë saj. Por veç dëmeve materiale nuk pati të lënduar në njerëz, duke përfshirë këtu edhe personelin e ambasadës shqiptare.

Ndërkohë mësohet se ndeshje Serbi-Shqipëri është bërë shkak i plagosjes së disa personave pas një konflikti me sende të forta në një shkollë të mesme në Tuz. Arsyeja ka qenë festimi i nxënësve shqiptarë për atë që ndodhi të martën në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Festa e tyre është ndërprerë nga nxënës jo shqiptarë, të cilët kanë filluar të konfliktohen me ta.

Situata është agravuar më tej, kur në atë konflikt janë përfshirë edhe prindërit e nxënësve. Të plagosurit, mes të cilëve edhe disa gjimnazistë, u dërguan menjëherë në klinikën qendrore të Malit të Zi. Ndërkohë që prokuroria nisi hetimet për të zbardhur këtë ngjarje.  

Menjehere pas ketyre ngjarjeve ministri i Jashtëm shqiptar reagoi duke kërkuar shpjegime nga homologu i tij malazez.

“Do ju kërkoja të gjithë shqiptarëve që jetojnë në rajon, që të tregonin të njëjtën maturi që tregoi ekipi ynë kombëtar”, tha ministri Ditmir Bushati, në Kuvend.

Top Channel