Në notën e protestës të dërguar nga Ministria e Jashtme serbe, të cilën e
ka siguruar Top Channel, përshkruhet se kujt i takon faji, sipas
organeve serbe.

“Incidentet fillojnë në aeroportin “Nikolla Tesla“ në Beograd me angazhimin e pazakontë personal të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd Ilir Boçka, i cili këmbënguli që të lejohen një numër i madh shtetasish shqiptarë, gjoja biznesmenë dhe gazetarë, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur më parë të UEFA-s dhe federatave kombëtare të futbollit“, thuhet në letrën e Ministrisë serbe.

“Dëshirojmë të nënvizojmë se përmbushja e kërkesave të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd, si dhe ndërhyrjet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe kooperativiteti e mikpritja e republikë së Serbisë, u keqpërdorën në mënyrën më të ashpër. Në vend që pala shqiptare të merrte përgjegjësinë për këtë grup dhe të mos lejonte kurrfarë incidenti, ekzistojnë indikacione për përzierjen pikërisht të këtij grupi në incidentin e promovimit të papranueshëm të projektit të Shqipërisë së Madhe“.

“Duket qartë se nuk bëhet fjalë për sulme huliganeske të tifozëve, por për një akt provokativ dhe të organizuar mirë që më përpara“, vazhdon dokumenti.

Ndër të tjera flitet edhe për marrëdhëniet në mes të dyja vendeve. “E gjitha kjo të shpie në dyshimin e angazhimit në mënyrë deklarative të Republikës së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përparimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Këtë e vërteton edhe organizimi i demonstratave para përfaqësisë diplomatike të Republikës së Serbisë në Tiranë dhe në vende të tjera jashtë Republikës së Shqipërisë, si dhe informiomi i njëanshëm mediatik për incidentin“, thotë dokumenti serb.Republika e Serbisë pret që Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë të distancohet dhe të dënojë incidentin dhe të ndërmarrë masa të vendosura kundër shkelësve, si dhe të bashkëpunojë me organet e Republikës së Serbisë për identifikimin dhe gjetjen e personave përgjegjës që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje“, thuhet në notën e protestes.

Top Channel