Ndryshe nga deklarata e zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, e cila e vuri theksin tek veprimet provokuese, Departamenti amerikan i Shtetit është i drejtpërdrejtë, duke u artikuluar prerë për ngjarjen në Beograd, për të cilën thotë se ishte dhuna ajo që ndërpreu ndeshjen.

Gjatë komunikimit të përditshëm me gazetarët, zëdhënsja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki është pyetur edhe për atë që ndodhi në Beograd.

Serbia ka akuzuar Shqipërinë për atë që ajo e quan një provokim të qëllimshëm politik dhe e kanë fjalën për një banderolë shqiptare që fluturoi gjatë një ndeshjeje futbolli me Serbinë. Kjo çoi në përplasje gjatë lojës. Keni ndonjë reagim?

Jen Psaki: “Është diçka shumë e pafat që kjo ndeshje futbolli u ndërpre nga dhuna. Sportet kanë një potencial shumë të madh dhe të vërtetuar për të bashkuar njerëzit kudo, edhe përtej kufijve. Dhe kur dhuna dhe mungesa e tolerancës shkelin një potencial të tillë, është zhgënjyese për të gjithë, sportistët, spektatorët, tifozët dhe vendet e tyre. Ambasada e SHBA, sigurisht, nuk pati asnjë rol në asgjë që mund të ketë ndodhur”.

Zëdhënësja Psaki u pyet gjithashtu nëse DASH ka patur kontakte për këtë çështje me palën Shqiptare dhe atë Serbe. Ajo u përgjigj se në dijeninë e saj nuk ka patur ndonjë kontakt.

Top Channel