Hong Kong, qeveria: Gati për dialog me studentët

16/10/2014 00:00

Qeveria e Hong Kongut është e gatshme për bisedime të reja me studentët protestues, të cilat mund të mbahen javën e ardhshme.

Cy Leung ka folur pas përplasjeve mes studentëve dhe policisë që u zhvilluan gjatë natës, në rrugën kryesore pranë ndërtesave qeveritare.

Ai tha se autoritetet kanë negociuar gjatë kësaj kohe me studentët përmes ndërmjetësve.

Protestat u shkaktuan pas kufizimeve të vendosura nga qeveria Kineze për personat që mund të kandidojnë për lidershipin e Hong Kongut në zgjedhjet e vitit 2017.

Demonstruesit janë në javën e tyre të tretë, pasi kanë zaptuar zonat kyçe të qytetit, në përpjekje për t’u bërë presion autoriteteve që të implementojnë reforma më të mëdha politike, përfshirë këtu zgjedhjet e lira.

Mijëra njerëz mbushën rrugën në fillim të protestave, por gradualisht numri i tyre është reduktuar në ditët e fundit.

“Në ditët e fundit, përfshirë këtë mëngjes, ne u shprehëm dëshirën studentëve që të nisim dialogun për të diskutuar mbi të drejtën e votës sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë në javët e ardhshme”, deklaroi zoti Leung për gazetarët.

Ai tha se autoritetet do të vazhdojnë të punojnë për rivendosjen e rendit në Hong Kong, në përputhje me ligjet dhe “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke përfshirë këtu normalizimin e trafikut.

“Por Pekini e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërheqë vendimin për të vendosur veton ndaj kandidatëve pjesëmarrës në zgjedhjet e 2017-s në Hong Kong”, shtoi ai.

Top Channel