Presidenti rus Vladimir Putin ka udhëtuar në Beograd, ku do të jetë dhe i ftuari i nderit i paradës ushtarake serbe të mbushur me simbole.

Parada shënon 70-vjetorin që kur trupat sovietike ndihmuan në çlirimin e qytetit nga pushtimi nazist dhe është e para që mbahet në thuajse 30 vjet.

Lidhjet historike të Serbisë me Rusinë bien paksa në kundërshtim me ambicjet evropiane të vendit ballkanas, me ndikimin edhe të krizës ukrainase.

Putin vizitoi monumentin kryesor të çlirimit të qytetit në vitin 1944, duke mbajtur heshtje teksa himnet e dy vendeve luheshin nga bandat muzikore.

Ndërsa në takimin me homologun Tomisllav Nikoliç ai deklaroi se, Rusia vazhdon të mbështesë Serbinë sa i takon shkëputjes së Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së saj gjashtë vjet më parë.

Putin mori nga homologu serb Urdhërin e Republikës së Serbisë, që tregon vullnetin e Beogradit për të ruajtur lidhjet me Moskën, edhe pse formalisht vendi pritet të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE në janar.

“Rusia, sikurse dhe në të kaluarën, do ta shohë gjithmonë Serbinë si aleatin më të ngushtë. Rusia nuk bën biznes me miqësinë”, deklaroi shefi i Kremlinit.

Edhe presidenti serb nga ana e tij riafirmoi vullnetin e vendit të tij për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë, pavarësisht konfliktit në Ukrainë.

“Edhe Serbia e sheh Rusinë si aleatin e saj të madh dhe kurrë nuk do të vërë në rrezik parimet e saj morale vetëm për shkak të disa sjelljeve negative që po bëhen kundrejt Rusisë”, tha ai.

Mbi 3 mijë ushtarë serbë pritet të marshojnë në paradën e madhe, ku do të parakalojnë edhe tanke, mjete të tjera ushtarake si dhe avionë të aeronautikës ruse.

Në mediat ndërkombëtare, mbajtja e paradës është komentuar si një rizgjim i nostalgjisë sovietike për Rusinë dhe i asaj jugosllave për Serbinë. 

Top Channel