Rikthimi i Erionit rikthen lumturinë te familja Abazi

16/10/2014 00:00

Pranvera Abazi buzëqesh sërish. Në familjen e saj është rikthyer lumturia.

Pas 100 ditësh ankthi dhe pritjeje, djali i saj Erioni ka ardhur nga lufta. 8-vjeçari gjendej në kampet e Sirisë dhe, falë një operacioni të suksesshëm të Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë, ai është ribashkuar me njerëzit e tij më të dashur.

Historia e familjes Abazi nis më 7 korrik, kur Arben Zena rrëmben të birin dhe, në mënyrë të fshehtë, largohet drejt kampeve të luftës në Siri, për t’i shërbyer organizatës ekstremiste ISIS.

“Në datën 1 Shtator, shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë i mungoi njëri prej nxënësve të saj më të mirë. Në klasën e tretë nuk erdhi Erion Zena, jo se ai nuk e donte dijen, por se një vendim i gabuar i babait të tij e çoi atë në një vend, ku sidomos fëmijët duhen mbajtur larg… Në luftë!”

Pas disa përpjekjeve për t’u vënë në kontakt me bashkëshortin e saj, Pranvera vendos të shkruajë një letër publike për Arbenin, ku i bën thirrje për t’ia kthyer të birin.

“Po të drejtohem ty dhe askujt tjetër me këtë letër të hapur. Arben, sot është 1 Shtatori, ditë e hënë, ora 8 e mëngjesit. Sot këtu është dita e parë e shkollës dhe sot Erioni do të duhej të vazhdonte klasën e tretë. Të takohej me të gjithë shokët e shoqet, që jam e bindur se i kanë munguar gjatë gjithë kësaj kohe, e i mungojnë edhe sot. Me çantën e mbushur plot me libra e fletore të reja, sot unë, apo edhe ti, do të duhej ta dërgonim Erionin në shkollë, duke parë fytyrën e tij të gëzuar dhe plotë harè, se do të takonte shoqërinë e klasës pas disa muajve të pushimit. Në cilën shkollë shkon tani Erioni, Arben? Po më fajësojnë se unë nuk kam bërë aq sa duhet të ta ndaloj Erionin, por si ta ndaloj unë, kur asnjëherë nuk do ta mendoja se një prind mund ta bëjë këtë, kudo në botë, e aq më pak ti. Ti e doje Erionin, si gjithë prindërit e tjerë fëmijët e tyre, por asnjëherë nuk do ta arrij ta kuptoj, pse është dashur ta merrje edhe Erionin me vete, në luftë. Po, po në luftë! A thua do të arrijë ta kuptojë një ditë edhe Erioni këtë, a thua do të arrijë të ta falë?”.

Pranvera, bashkë me kushëririn e saj Suad Sadulahu, përmes “Pasdite në Top Channel” apeluan për ndihmë, që dikush t’ua mundësojë kthimin e Erionit.

Librat dhe çanta e shkollës tashmë e kanë njeriun e tyre, atletet dhe topi i futbollit e kanë pritur Erionin. Gjyshe Mirsija i ka harruar lotët e dhimbjes dhe tani qan prej gëzimit, po ashtu gjyshi dhe tezja e Erionit. Tashmë Erioni është në vendin më të sigurt dhe ku të gjithë e duan, pranë mamasë së tij.

Top Channel