Serbia e kremtoi ardhjen e Presidentit rus Vladimir Putin me ushtarë, tanke dhe avionë luftarakë gjatë së enjtes, duke shënuar kështu 7 dekada prej kur Ushtria e Kuqe çliroi Beogradin, duke balancuar ambiciet e saj të integrimit europian me nderimin e pafund ndaj aleatit të plotfuqishëm, që është thellësisht në kundërshtim me Perëndimin.

Shfaqja e madhështisë ushtarake, në një moment kur Perëndimi thotë se trupat ruse janë duke luftuar në Ukrainë, rezulton një veprim i haptazi balancues i Serbisë, një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, për të cilin ajo është detyruar prej krizës që duket se po rikthen Luftën e Ftohtë.

Ajo demostroi gjithashtu influencën e Rusisë në Ballkan, që si shumë prej vendeve të Europës Lindore është e varur nga gazi rus.

Përpara mijëra vëzhguesve, më shumë se 3 mijë ushtarë marshuan në paradën e parë ushtarake të Beogradit që prej 1985-s, kur ai ishte kryeqytet i Jugosllavisë socialiste. Tanket vijuan pas tyre dhe avionët gjëmuan në qiellin e vranët nga retë.

Putin, i cili ka qenë i pranishëm në paradë, ka marrë dekoratën më të lartë shtetërore të Serbisë, “Urdhrin e Republikës së Serbisë”.

Beogradi i pushtuar nga nazistët u çlirua nga Ushtria e Kuqe dhe partizanët jugosllavë më 20 Tetor 1944, por parada u mbajt këtë të enjte, 16 Tetor, për t’iu përshtatur Putinit, për shkak se ai do të vizitojë më pas Milanon për një samit BE-Azi, i cili pritet të dominohet nga çështja e Ukrainës dhe frikës së Europës për një krizë gazi.

Por, pavarësisht tapetit të kuq të shtruar ndaj Putinit dhe bisedimeve të larta të vëllezërve sllavë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij nuk do të devijojë nga ndryshimi strategjik drejt Perëndimit, gjatë këtyre 15 viteve pas luftës me NATO-n për çështjen e Kosovës.

“Serbia është në rrugën e saj drejt Europës dhe nuk do të kthehet pas”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me Putinin. Për t’u theksuar, Vuçiç foli në telefon gjatë mbrëmjes së të mërkurës me zv/Presidentin amerikan Joe Biden, edhe pse ambasadori i Uashingtonin në Serbi refuzoi ftesën për të marrë pjesë në paradë.

Serbia, e cila nisi negociatat këtë vit për t’iu bashkuar BE-së prej 28 kombesh anëtare, ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit të vendosura ndaj Rusisë, për shkak të mbështetjes së separatistëve në Lindje të Ukrainës, pavarësisht presionit të BE-së për të qenë në të njëjtën vijë me politikën e saj të jashtme.

Beogradi ka ende kohë, gjithsesi, për t’u anëtarësuar në BE, kjo pasi Unioni europian nuk pritet të zgjerohet me të tjerë anëtarë përpara vitit 2020.

Ndërkohë që Serbia kërkon hyrjen në BE, vetoja e Rusisë në Kombet e Bashkuara mbetet e vetmja gjë në “dispozicion të saj” për të ndalur Kosovën t’i bashkohet trupës ndërkombëtare, një vijë e kuqe kjo për Beogradin, edhe pse janë mbushur 6 vjet nga deklarimi i Pavarësisë së territorit me shumicë shqiptare, falë mbështetjes së Perëndimit.

“Serbia nuk do të kompromentojë moralin e saj me ndonjë sjellje të keqe kundrejt Serbisë”, tha Presidenti serb Tomislav Nikolic përpara Putinit, pasi liderët vunë kurora në memorialin e 31 mijë ushtarëve sovjetikë të vrarë gjatë çlirimit të Beogradit.

Putin iu përgjigj: Rusia, ashtu si në të kaluarën, gjithmonë do ta shohë Serbinë si aleatin e saj më të afërt. Dhe Moska nuk e tradhëton miqësinë, e aq me pak miq si Serbia, e cila është në rrugën e duhur për t’u futur në Bashkimin Europian. Përveç shumë aspiratave të tjera të qeverisë së Beogradit, ne e mbështesim politikën e vendit edhe për çështjen e saj terrioriale. Qëndrimi ynë për Kosovën nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Ne e kemi mbështetur Serbinë dhe do vazhdojmë ta bëjmë në vazhdimësi.

Top Channel