Rusia hedh poshtë deklaratat e Kerryt

16/10/2014 00:00

Rusia hodhi poshtë komentet e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, të bëra gjatë së enjtes mbi këmbimin e informacioneve sekrete në lidhje me militantët e Shtetit Islamik, duke thënë se Moska refuzon të përfshihet në koalicione që shkelin “ligjin ndërkombëtar”.

Pa mohuar nëse bashkëpunimi ka ekzistuar, një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse bënte të ditur se qartësimet ishin të nevojshme ndaj raportimeve se Kerry dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishin rënë dakord mbi ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Kerry, duke folur pas takimit me Lavrov në Paris, më herët gjatë kësaj jave, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kishin rënë dakord “për të intensifikuar bashkëpunimin mbi informacionet sekrete në lidhje me ISIL (Shteti Islamik në Irak dhe Levant) dhe në lidhje me sfidat e tjera antiterrorizëm në rajon”.

Ministria ruse tha se Moska ka ofruar ndihmë ndaj Sirisë dhe Irakut, në luftën e tyre ndaj “terrorizmit”.

“Rusia do të vazhdojë përpjekjet e saj, por nuk do të përfshihet në koalicione, të cilat janë krijuar në anashkalim të plotë të Këshillit të Sigurisë në OKB, e që janë në shkelje të plotë të ligjit ndërkombëtar”, bënte të ditur Ministria në deklaratën e saj.

Avioënt amerikanë, të mbështetur nga koalicioni i vendeve arabe dhe atyre të Perëndimit, kanë kryer disa sulme ajrore ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Deklarata thoshte se puna për një grup antiterrorizëm mbi Këshillin Presidencial ruso-amerikan është ndalur në mënyrë të njëanshme nga Shtetet e Bashkuara.

Shteti Islamik mund të kërcënojë potencialisht Moskën, pasi përfshin në radhët e saj edhe një numër të madh muslimanësh nga rajoni rus i Kaukazit Verior, të cilët kanë nisur kryengritjen e tyre në rajonin malor, pas dy luftrave mes Moskës dhe separatistëve në Çeçeni, në vitet ’94-’96 dhe ’99-2000.

Top Channel