Boçka: Po punojmë për vizitën e Ramës

16/10/2014 00:00

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka ka deklaruar se përgatitjet për vizitën e kryeministrit Edi Rama, e planifikuar për më 22 tetor, janë në vazhdim.

“Mendoj se incidenti e komplikon atmosferën, por do të ishte kundër-produktive për bashkëpunimin mes vendeve tona që pas çdo incidenti të ketë vakum dhe pastaj t’ia nisim nga e para”, ka thënë Boçka.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e së enjtes në kryeqytetin serb, kur është pyetur se kush e kishte drejtuar dronin me flamurin e Shqipërisë, diplomati shqiptar ka thënë se nuk ka informacion për këtë gjë dhe ka shtuar se pret që pala serbe t’i ofrojë ato. Ai gjithashtu ka mohuar zërat se fluturimi i avionit të vogël të telekomanduar ishte plan i delegacionit shqiptar në stadium.

“Kjo teori duket e denjë për shpjegimet për dështimin në ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe elementëve të tjerë që karakterizojnë lojën e futbollit”, ka thënë Boçka. “Ne presim të shohim provat, por nuk besoj se do të ketë”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse Tirana zyrtare e dënon shfaqjen e flamurit me hartën e Shqipërisë së Madhe në stadium, ambasadori është përgjigjur duke thënë se, dënon çdo aspekt anti-sportiv që nisën para ndeshjes.

Duke vijuar përgjigjet e tij, diplomati shqiptar është shprehur se, “qeveria shqiptare nuk njeh Shqipëri të madhe e as të vogël, por vetëm Shqipërinë”. “Atmosfera në stadium ishte e tensionuar përpara fillimit të ndeshjes. Kishte shfaqje huliganizmi, ekstremizmi dhe gjuhë urrejtjeje”, ka thënë Boçka.

Për të vërtetuar deklaratat, ai ka nxjerrë para gazetarëve celularin e njërit prej anëtarëve të delegacionit shqiptar me regjistrimet e britmave të tifozëve serbë kundër shqiptarëve.

“Në këtë video ju mund të dëgjoni tifozët që thërrasin “vrisni shqiptarët”, fjalë të cilat nuk i kam dëgjuar askund tjetër dhe që për më tepër thuheshin gjatë himnit shqiptar”, ka thënë Boçka. “Të gjitha këto çuan në episodin provokues me objektin fluturues me një flamur”, ka shtuar ai.

Sa për praninë e vëllait të kryeministrit shqiptar Olsi Rama, përfaqësuesi i Tiranës zyrtare ka sqaruar se ai kishte biletë për të qenë i pranishëm në ndeshje, por e mësoi ardhjen e tij vetëm në aeroportin e Beogradit.

Më tej, Boçka ka kritikuar autoritetet serbe për trajtimin e delegacionit shqiptar në aeroport dhe në këtë drejtim ka sqaruar se prania e tij atje ishte vetëm për të pritur disa miqtë e tij që kishin ftesë për të ndjekur ndeshjen.

“Në aeroport u gjetën tërësisht të ndaluar përfaqësuesit e medias shqiptare, si dhe njerëz që kalonin tranzit përmes Beogradit, që u mbajtën për tre orë. Prandaj dhe ngrita zërin dhe kërkova respektimin e standardeve të lirisë së lëvizjes”, ka shtuar Boçka.

Në fund, i pyetur nëse në Shqipëri ndeshja do të kishte pasur një rrjedhë të ngjashme, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e pranisë së ekstremistëve, por ka theksuar se, “askush në Tiranë nuk klithte “vrisni serbët” atë natë”.

Top Channel