Moska: SHBA, “skenare” ushtarake pranë kufirit rus

16/10/2014 00:00

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, akuzoi Shtetet e Bashkuara këtë të enjte, se po punon mbi “skenare” ushtarake pranë kufijve të Rusisë, gjë që për të konsiderohet si një burim i një shqetësimi të madh.

Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka cituar Shoigu-në të ketë thënë se ndihej i habitur pas një fjalimi të së mërkurës, gjatë të cilit Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuch Hagel tha se Forcat e Armatosura amerikane “mund të përballen me ushtrinë e një Rusie revizioniste, moderne dhe tepër të aftë, në dyert e NATO-s”.

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin kanë arritur pikën më të ulët pas Luftës së Ftohtë për shkak të konfliktit në Ukrainë, ndërsa Moska mohon akuzat për dërgimin e armëve dhe trupave në mbështetje të separatistëve pro-rusë në Lindje të ish-republikës sovjetike.

“Tezat e Chuck Hagel për gatishmërinë e ushtrisë amerikane për t’u përballur me Forcat e Armatosura ruse, tashmë ‘moderne dhe të afta’, në dyert e NATO-s përbëjnë një shqetësim të madh”, tha Shoigu, i cituar nga Interfax.

“Kjo dëshmon faktin se Pentagoni po punon mbi skenare të ndryshme operacionesh në kufijtë e vendit tonë”.

Shoigu nuk tha se çfarë po planifikonte ushtria amerikane sipas mendimit të tij.

Uashingtoni ka qenë i hapur mbi dërgimin e trupave shtesë në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshi Poloninë dhe shtetet Baltike, teksa manovrat e tyre kanë për qëllim të sinjalizojnë angazhimin për mbrojtjen e aleatëve të irrituar të NATO-s.

Që prej rënies së komunizmit, NATO është zgjeruar në Lindje të Europës, duke anëtarësuar 3 ish-republika sovjetike dhe disa prej ish-shteteve komuniste, që dikur dominoheshin nga Moska, në atë që Rusia e sheh si një kërcënim real për të.

Shoigu tha se një “dialog i paanshëm” ishte i nevojshëm me partnerët perëndimorë të Rusisë, mbi marrëdhëniet e të gjitha aspekteve, në vend që të “shtohet më tej tensioni”.

Top Channel