Duka: Qëllimi ynë, të dilnim gjallë nga stadiumi

16/10/2014 00:00

Pas asaj ngjarjeje të rëndë që ndodhi në stadiumin e Beogradit, situata mbetet e tensionuar. Serbët kanë kaluar gjithçka në duart e politikës, ndërkohë që guxojnë të mendojnë edhe për 3-pikëshin, ndërkohë që në stadiumin e tyre, stadiumin “Partizan” të Beogradit, skuadra shqiptare dhe i gjithë delegacioni u ofendua në korr, u godit dhe u dhunua.

Presidenti i Federatës, Armando Duka, një personat që vendosën për të ndërprerë ndeshjen, tregon përjetimin e tij disi më gjakftohtë.

“Të gjitha ato që ndodhën në fushë, goditje, sende të forta, ofendimi i ekipit tonë në korr… Nuk mendoj se mund të ketë diçka më raciste se thirrjet ‘vrisni shqiptarët’, që ishte jo vetëm në stadium por edhe teksa shkonim me autobus në stadium. Edhe banda luante një muzikë që bënte thirrje për luftë. Më vjen keq për kolegët serbë, sepse me ta i kam marrëdhëniet e mira dhe presidenti i Federatës Serbe na ndihmoi”, deklaron Duka.

Akuza kryesore që pala serbe ka bërë një ditë më vonë është “braktisja e fushës së lojës, një shkelje e rëndë”, por presidenti Duka tregon edhe një herë se rikthimi në fushën e lojës mund të rezultonte fatal për ne.

“Ne në asnjë rast nuk kemi bërë vetëgjyqësi. Ne treguam gjatë lojës se lojtarët ishin goditur me mjete të forta dhe ishin nën një presion psikologjik të jashtëzakonshëm. Në asnjë moment nuk mendoja për pikët, por: a do të dalim gjallë nga stadiumi? Ata duhet të gjykojnë nëse aty kishte kushte për një ndeshje, a ishin lojtarët në pozitë të barabartë fizike dhe mendore, nëse ishte gjyqtari në kushtet e duhura. Nëse ata gjykojnë se dhuna është e nevojshme, le ta pranojnë. Ato thirrje që ishin në stadiumin e Beogradit thuhen vetëm në mitingjet politike serbe. Më vjen shumë keq që futbolli u njollos në këtë mënyrë”, thotë Duka.

Gjatë ndërprerjes së ndeshjes, presidenti Duka tregon se ka patur kontakte të drejtpërdrejta me zyrat qëndrore të UEFA-s, me këshilltarët e presidentit Platini.

“Me këshilltarin e presidentit kam qenë në kontakt gjatë gjithë kohës që ishim në stadium. Qëllimi im ishte të kërkoja ndihmë për të dalë nga stadiumi, nuk kam menduar se çfarë do të ndodhë me ndeshjen. Ajo që dua unë është një gjykim i drejtë, por po të duan le ta bëjnë Serbinë kampione Evrope”, shton më tej Duka.

Top Channel