Turqia humbet ulësen në Këshillin e Sigurimit

17/10/2014 00:00

Turqia dështoi të siguronte një ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi shtetet anëtare votuan të enjten.

Pesë ulëset e përkohshme iu dhanë Venezuelës, Angolës, Malajzisë, Zelandës së Re dhe Spanjës, me dy të fundit që mundën Turqinë për përfaqësimin e Perëndimit.

Turqia ka qenë nën presion ndërkombëtar për të ndihmuar në luftimin e militantëve të Shtetit Islamik, që po bëjnë luftë përgjatë kufijve të saj. Anëtarët e rinj të Këshillit të Sigurimit do të nisin misionin e tyre dyvjeçar më 1 janar 2015.

Pavarësisht lobimit të fuqishëm mes 193 vendeve anëtare, Turqia humbi përballë Spanjës që fitoi raundin e tretë të balotazhit për ulësen e dytë të dy vendeve perëndimore.

Vendin e parë e fitoi Zelanda e Re me 145 vota. Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” citoi ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu të thoshte: “Nuk mund të braktisim parimet tona për hir të votave”.

“Nga ana jonë ne nxorrëm në pah kredencialet e Zelandës së Re, një vend që shihet si një ndërmjetës i ndershëm e që lufton për atë që është e drejtë”, deklaroi Cavusoglu.

Ndërsa në Venezuelë u zhvilluan hetime teksa vendi mori ulësen që përfaqëson Amerikën e Jugut dhe Karaibet pa kundërshtime.

Shtetet e Bashkuara, që fuqishëm kundërshtuan kandidaturën e Venezuelës në vitin 2006, këtë herë e kaluan votimin në heshtje pa deklaruar se për kë votuan.

“Për fat të keq, sjellja e Venezuelës në OKB ka qenë kundër shpirtit të Kombeve të Bashkuara dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë vend bie ndesh me parimet e organizatës”, deklaroi pak pas votimit ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power.

Top Channel