Ebola, OKB përsërit apelin për fonde

17/10/2014 00:00

Ban Ki Moon ka bërë një tjetër apel urgjent për fonde për të luftuar virusin e Ebolës, pasi një fushatë e Kombeve të Bashkuara për donacione nuk i arriti pritshmëritë.

Shefi i OKB-së deklaroi se fushata e tij për 1 miliard dollarë e nisur në shtator ka mbledhur vetëm 100 mijë dollarë deri tani. Ai iu bashkua thirrjeve ndaj liderëve të botës, duke kritikuar përpjekjet e deritanishme për të frenuar përhapjen e Ebolës.

Sëmundja ka vrarë rreth 4.500 persona, shumica e të cilëve në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. Edhe pse vende të ndryshme të botës kanë bërë thirrje të ngjashme, vetëm pak prej tyre i kanë implementuar zotimet për donacione.

Donatorët u kanë dhënë thuajse 400 milionë agjencive të tjera të OKB-së dhe organizatave, ndërsa fondi i organizatës nuk ka arritur kurrë zotimin për 20 milionë dollarë, me Kolumbinë që është vendi i vetëm që ka paguar deri tani.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Ebolën, David Nabarro deklaroi se fondi kishte si synim të ofronte fleksibilitet në përgjigjen ndaj krizës, që çdo ditë po sjell sfida të reja.

“Ai u mundëson zonave në nevojë që të identifikohen dhe që fondet të menaxhohen sipas marrëveshjeve”, tha Nabarro. Nga ana tjetër, Ban Ki Moon tha se është koha që vendet që kanë kapacitete të sigurojnë mbështetje financiare dhe logjistike.

Apele të ngjashme janë bërë në ditët e fundit nga presidenti amerikan Barack Obama, kryeministri britanik David Cameron dhe presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim.

Top Channel