Messi feston “dekadën e pabesueshme” me Barcelonën

17/10/2014 00:00

Ylli argjentinas Lionel Messi e ka quajtur një dekadë “të pabesueshme”, këto 10 vjet të kaluara me Barcelonën, teksa ka festuar përvjetorin e debutimit të tij me katalanasit.

“Dua të falënderoj familjen time, shokët, kolegët dhe stafin e Barcelonës për mbështetjen e tyre në këto 10 vite të pabesueshme”, shkroi Messi në profilin e tij zyrtar në Facebook.

“Gjithmonë jam lumturuar sa herë kam zbritur në fushë, sa herë kam veshur këto ngjyra, kam përjetuar momente magjike dhe vazhdimisht jam përpjekur të përmirësohem e të fitoj më shumë tituj me ekipin tim. Një përqafim për të gjithë ju”.

Messi debutoi me “blaugranat” në moshën 17-vjeçare, më 16 Tetor 2004, gjatë një ndeshjeje derbi katalanas në La Liga, ndaj Espanyolit, takim që e Barça e fitoi 1-0.

Që prej atëherë, ai ka mundur të fitojë 4 trofe të “Topit të Artë”, në vitet 2009-2012, 3 trofe të Champions League, në vitet 2006, 2009 dhe 2011, si dhe 6 tituj kampionë të Spanjës.

Për më tepër, ai është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e klubit katalanas. Të shtunën, kur Barcelona të presë Eibarin e ngjitur këtë vit në La Liga, argjentinasi do të barazojë ose edhe kalojë gjithashtu rekordin e golashënuesit më të mirë të La Ligas, Telmo Zarra, me 251 gola.

Messi, tashmë 27 vjeç, ka shënuar deri më tani 249 gola në kampionatin spanjoll. Nëse ai dështon ta përmbushë këtë synim, do të ketë një tjetër rast të artë javën e ardhshme, kur do të luajë në “El Clasico”-n e famshme ndaj rivalëve të Real Madridit.

Top Channel