Lokale dhe furra buke në pronësi të shqiptarëve nga Kosova janë sulmuar natën mes së enjtes dhe së premtes nga grupe huliganësh në krahinën e Vojvodinës dhe frika është për vijimin e këtyre sulmeve, megjithë deklaratat e kryeministrit serb kundër akteve vandale.

Vetëm në Novi Sad janë shkatërruar pjesërisht dhe plotësisht nëntë ndërtesa ku ushtronin aktivitet shqiptarët, dy prej të cilave kanë pësuar dëmtimet më të mëdha për shkak të sulmeve me bomba molotov. 

Policia ka reaguar pas këtyre ngjarjeve, por frika e pronarëve të këtyre dyqaneve që jetojnë në Vojvodinë për rikthim të sulmeve ekziston ende.

Pasditen e së premtes situata është qetësuar, megjithatë pronarët e lokalëve kanë kërkuar mbështetjen e policisë.

Përveç kryeministrit Vuçiç që dënoi këto akte, pati një kritikë edhe nga kreu i bashkisë së Novi Sadit. Reagime pati edhe nga zyra e Avokatit të Popullit që akuzoi shtetin se nuk ka mbrojtur siç duhet qytetarët.

Policia serbe ka bërë të ditur është vënë në kërkim të autorëve. Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave në Novi Sad, një grup huliganësh ka hyrë në një furrë buke të quajtur “Evropa”, ku punojnë punonjës serbë dhe hungarezë, duke i sulmuar ata verbalisht dhe duke thyer xhamat e dyqanit.

Dy ditë më parë, siç është bërë e ditur, pas ndeshjes Shqipëri-Serbi u sulmuan tri lokale të tjera, në qytetin e Somborit, Stara Pazova dhe në Novi Sad, ku janë hedhur edhe bomba. Në këto incidente nuk ka pasur të lënduar.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel