Putin kërcënon Perëndimin

17/10/2014 00:00

“Mos guxoni t’i bëni shantazh një fuqie bërthamore”, ishte mesazhi i Vladimir Putinit për Perëndimin, i shoqëruar edhe me paralajmërimet e shefit të Kremlinit se Europa përballet me “rreziqe të mëdha tranziti” të gazit natyror që vjen nga Rusia, nëse Kievi nuk zgjidh mosmarrëveshjet e çmimit me Moskën.

Komentet e ashpra, Presidenti rus i bëri përpara bisedimeve me homologun ukrainas, Petro Poroshenko, dhe liderë të rëndësishëm europianë në Milano, ku janë mbledhur për takimin e  nivelit të lartë Europë-Azi në Milano.

“Qëllimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për të izoluar Moskën është absurd dhe zhgënjyes. Shpresojmë që partnerët tanë ta kuptojnë se janë ngutur me përpjekjet për të shantazhuar Rusinë e të mbajnë parasysh se çfarë mund t’i bëjnë stabilitetit strategjik mosmarrëveshjet mes fuqive të mëdha atomike”, tha Putin.

Në Qershor, Moska pezulloi – për arsye të mospagesës së faturës prej 5 miliardë dollarësh – tranzitin e gazit tek Ukraina, e varur energjitikisht prej saj. Mes dy palëve, ende nuk ka një formulë marrëveshjeje.

Kriza e Ukrainës pritet të dominojë takimin në Milano, ku Moska dhe qeveritë perëndimore do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje, si për ngërçin e gazit, ashtu dhe për luftimet gjashtëmujore mes separatistëve prorusë dhe forcave të Kievit.

Diskutimet paraprake mes liderëve të Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë e shefit të Kremlinit, sipas kryeministrit italian Matteo Renzi ishin “disi më pozitive”, sa i takon perspektivës së një zgjidhjeje të problemit të Ukrainës, megjithatë dallimet mes palëve vazhdojnë të mbeten të mëdha.

Top Channel