Eurozona rrezikon recesion

17/10/2014 00:00

Eurozona rrezikon të zhytet sërish në recesion. Të dhënat e dobëta ekonomike, çmimet e aksioneve në rënie dhe rritja e papunësisë tregojnë se zona e monedhës së përbashkët asnjëherë nuk e kapërceu plotësisht ngërçin disavjeçar dhe se pa masat e nevojshme ajo mund të jetë vërtet në rrezik. Kriza, sipas ekspertëve, tani është e një forme tjetër.

Pas borxheve shtetërore, në qendër të diskutimit tani është euro-koniuktura. Për disa zëra, rënia aktuale ekonomike mund të jetë akoma më e rrezikshme se ajo e 2008-s, kur falimentoi “Lehman Brothers”.

Gjashtë vjet më parë, paniku që pushtoi tregjet financiare u zgjidh me injektim parash, por reformat strukturore dështuan dhe problemet kyçe nuk morrën zgjidhje.

Në Europë nga ana tjetër vërehen plot trende të tjera negative me rritjen e borxheve shtetërore dhe papunësinë që në jug shënon 50% apo më shumë.

Ndikim ka patur dhe lufta ekonomike me Rusinë. Më së shumti ajo prek Gjermaninë dhe Austrinë, ndërsa situatën e përkeqëson edhe më shumë ISIS-i dhe trazirat në Lindjen e Mesme.

Tregues i faktit që kriza ende nuk është kapërcyer konsiderohet dhe një largim i madh kapitali nga Italia. Sipas institutit IFO, vetëm në muajt gusht dhe shtator janë zhvendosur nga ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës 67 miliardë euro.

Për ekspertët, ky është një sinjal tepër shqetësues i cili dëshmon se tregjet e kapitalit nuk janë stabilizuar.

Top Channel