Sfidon Rusinë, Gjeorgjia: Organizojmë qendër stërvitore me NATO-n

17/10/2014 00:00

Gjeorgjia nuk do të lejojë presionin rus, që ta ndalë atë nga organizimi i një qendre stërvitore të NATO-s në territorin e saj, apo të pengojë planet e saj për të thelluar marrëdhëniet me Perëndimin.

Kështu është shprehur ministri i Mbrojtjes së ish-republikës sovjetike, e cila shtrihet në Jug të Kaukazit dhe ka një popullsi prej 4,5 milionë banorësh.

E përshkuar nga tubacionet e naftës dhe gazit natyror të detit Kaspik, që furnizojnë Europën nga Azerbajxhani, u përfshi në luftë me Rusinë në vitin 2008 dhe vijon të mbetet i kujdesshëm ndaj Moskës armiqësore, pavarësisht se po përpiqet për t’u shkëputur përgjithmonë nga orbita e saj.

“Konfrontimi me Rusinë duhet të shmanget. Gjeorgjisë i nevojitet stabilitet”, tha ministri i Mbrojtjes, Irakly Alasania, në një intervistë për “Reuters”. “Por, ne nuk do të përkulemi kurrë përpara rusëve, për ‘diktatin’ e Moskës se çfarë është e mirë apo jo për Gjeorgjinë”.

Gjeorgjia ka qenë tepër e interesuar për zhvillimet e konfliktit në Lindje të Ukrainës, prej fillimit të tij, sidomos kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në fillim të vitit, e që u pasua nga trazirat e separatistëve prorusë në Prill kundër forcave qeveritare të Kievit.

Lufta e 2008-s mes Moskës dhe Tbilisit u shkaktua prej lëvizjeve separatiste të rajoneve gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, të cilat vazhdojnë të jenë nën kontrollin e Rusisë.

“Duam që Ukraina të jetë e suksesshme dhe në lidhje me këtë, ne i konsiderojmë veprimet e Rusisë si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë në rajon”, tha ministri gjatë së enjtes.

Rusia ka deklaruar se do ta konsiderojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO si një kërcënim të sigurisë, si dhe ka ngritur gjithnjë rezerva mbi shpresat e Kievit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Ajo ka vendosur gjithashtu embargo tregtare në Gjeorgji, kur kjo e fundit nisi kursin pro-Perëndimit.

Alasania tha se Gjeorgjia, që nënshkroi marrëveshjen e asociim-stabilizimit me BE-në në Qershor, duke thelluar kështu lidhjet tregtare dhe politike me të, është duke vijuar përpjekjet për t’iu bashkuar NATO-s, pavarësisht se dështoi këtë vit në marrjen e Planit të Veprimit për Anëtarësimin, një hap formal drejt aksesit në të.

Ish-i dërguar i Gjeorgjisë në Kombet e Bashkuara dhe ministër i Mbrojtjes prej 2012-s, 40-vjeçari Alasania tha se bashkëpunimi me NATO-n do të përfshijë edhe organizimin e një qendre stërvitore me aleancën atlantiko-veriore.

Top Channel