Athina notë proteste Tiranës: Mbroni minoritetet

17/10/2014 00:00

Ministria e Jashtme greke ka reaguar ashpër në orët e fundit pas disa lajmeve të publikuara në mediat helene, se pas përfundimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri një grup huliganësh hyri në fshatin Derviçan të Gjirokastrës duke sharë, rrahur dhe kërcënuar banorët e zonës.

Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Jashtme greke ka bërë të ditur se ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që ngjarje të tilla në jug të Shqipërisë të mos përsëriten.

Autoritetet greke kanë këshilluar palët që të ulin tensionet dhe të shohin drejt së ardhmes evropiane, ndërsa i kanë kërkuar Tiranës zyrtare që të marrë masa për mbrojtjen e minoriteteve.

Gjithashtu, Athina duket se është e pakënaqur edhe me përmbajtjen e flamurit që u ngrit mbi stadiumin “Partizan” të Beogradit, ku dukeshin qartë territore që sipas saj pretendohen prej Shqipërisë por që bëjnë pjesë në Greqi.

Me urdhër të zv/kryeministrit grek, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, sot ambasadori helen në Tiranë ka dorëzuar një notë proteste lidhur me situatën e krijuar pas Serbi-Shqipëri dhe aktet e dhunës së ndodhur pas saj në fshatin minoritar në Gjirokastër.

Ambasadori Rokanas kërkoi prej autoriteteve shqiptare të dënojnë aktet e dhunës së kryera prej huliganëve në fshatin e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Diplomati kërkoi gjetjen dhe arrestimin e autorëve, si dhe të merren masa për mbrojtjen e minoritarëve grekë gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë më datën 28 tetor.

Ai transmetoi pranë autoriteteve të Tiranës shqetësimet e Athinës për sulmet e paligjshme ndaj minoritetit paqësor grek që jeton në Shqipëri.

Top Channel