Kurdët dëbojnë ISIS nga qyteti

17/10/2014 00:00

ISIS-i është zmbrapsur thuajse tërësisht nga Kobane. Me përjashtim të dy xhepave të rezistencës në Lindje, militantët e Shtetit Islamik tashmë nuk kontrollojnë asnjë pjesë tjetër të qytetit siriano-kurd.

Përgjatë 24 orëve të fundit, forcat e koalicionit ndërmorën edhe 14 sulme të tjera ajrore në zonë, duke i dhënë xhihadistëve një goditje trullosëse.

Në një komunikim telefonik, komandantja kurde Baharin Kandal i tha BBC-së se shpresat janë të mëdha që, shumë shpejt, Kobane do të çlirohet plotësisht. Grupi i saj paraushtarak ka marrë ndihma në armë e furnizime të tjera, e i janë dërguar edhe luftëtarë, por Kandal refuzon të thotë se kush i ka dërguar.

Pas betejës njëmujore, mbrojtësit kurdë të Kobanes më në fund e shohin të afërt fitoren e tyre.

Komentet e Kandalit reflektojnë një frymë optimizmi, e cila shihet edhe mes refugjatëve në anën tjetër të kufirit me Turqinë, të cilët shpresojnë që brenda pak ditësh të rikthehen në shtëpitë e tyre.

Beteja për Kobanen konsiderohet një test për fushatën ajrore të koalicionit anti-ISIS, i cili edhe pse e pranon se sulmet e tij e kanë ngadalësuar avancimin e Shtetit Islamik, situata e sigurisë në qytetin kurd vazhdon të mbetet e paqëndrueshme.

Ndërkohë, Komisioneri i ri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al Hussein, e përshkroi grupin islamik si antitezën e të drejtave të tilla nëpër botë dhe si një organizatë djallëzore me potencial për genocid.

Top Channel