Basha: Rama të anulojë vizitën

17/10/2014 00:00

Ka pak raste kur Lulzim Basha nuk përdor një gjuhë të kujdesshme dhe diplomatike. Çështja e hapur pas dhunës serbe kundër kombëtares së Shqipërisë dhe simboleve të saj është një nga rastet, kur ish-ministri i Jashtëm preferon të flase pa doreza dhe pa nënkuptime.

Nga pozicioni i kreut të opozitës, Lulzim Basha rënditi të gjitha faktet e dhunës serbe dhe u ndal tek sjellja agresive antishqiptare e autoriteteve serbe, të cilat ende nuk kanë dënuar asnjë akt agresioni. Kjo e bën e bën Lulzim Bashën të besojë se Edi Rama nuk është i mirëpritur në Beograd.

“Shikoni qendrimin ordiner dhe provokues të Presidentit Nikoliç, kur thotë se Shqipërisë do t’i duhen shekuj për t’u bërë vend normal. E thotë këtë ndihmësi i Sheshelit, që së bashku me Millosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë në Ballkan. Çfarë janë këto mesazhe? Mesazhi është mos eja, dera është e mbyllur”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha është i bindur edhe që Serbia nuk është e sinqertë as me Bashkimin Europian, as me Shqipërinë.
“Bashkohemi besoj të gjithë në vendosmërinë tonë për të vazhduar për të investuar për perspektivën europiane të rajonit, por fatkeqësisht në anën tjetër urrejta dhe dhuna antishqiptare në shtëpinë saj, veprimet e kërkuara anti-NATO, paradat në Beograd për të nderuar agresorin e sotëm të lirisë, (Putin), demonstrojmë se Serbia është e dyzuar për të mos thënë e shtirur në lidhje me integrimin europian dhe aspak e gatshme për të filluar një histori të re me shikim nga e ardhmja në marrëdhënien e Shqipërisë”, shtoi kreu i PD, Basha.

Kjo sjellje e palës serbe e çon kreun e opozitës të mbaje një qendrim të qartë kundër vizitës të kryeministrit Rama në Beograd javën e ardhshme.  Një vizitë që sipas zotit Basha, në të tilla kushte nuk krijon asnjë rezultat pozitiv.

“Në çdo rast e them dhe njëherë, vizita në pikëpamjen tonë ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e dialogut të këtij niveli. Sipas mediave kërkesa e zotit Rama për të vizituar Beogradin është refuzuar tre herë, është shtyrë tre herë. Pas ngjarjeve të së martës insistimi i zotit Rama për të trokitur në derën e mbyllur serbe është shumëfish i pakuptimë, shumëfish më i padenjë. Ndaj sot i kërkoj kryeministrit minimalisht të shtyjë vizitën e tij në Beograd, Një vizitë për ekzibizicion në këto kushte nuk ia vlen asnjë qindarkë”, deklaroi Basha.

Duke iu referuar qendrimit disa ditor të Kryeministrit Rama në Boston të Shteteve të Bashkuara,  kreu i opozitës kishte edhe një kërkesë tjetër për kreun e qeverisë.

“I kërkoj të ndërpresë shëtitjet e tij nëpër botë me një axhendë të varfër edhe për një ish-kryeministër, dhe të kthehet në Tiranë në krye të punëve, të ballafaqohet me problemet e njerëzve, cmimin e energjisë, rritjen e taksave, rritjen e papunësisë”, apeloi kreu i PD.

Top Channel