Shteti Islamik, gati për pilotim avionësh

17/10/2014 00:00

Pilotët irakianë, të cilët i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri, raportohen të jenë duke stërvitur anëtarë të grupit ekstremist për të fluturuar me 3 avionë luftarakë të rrëmbyer.

Lajmi bëhet i ditur nga grupi monitorues i luftës civile në Siri gjatë së premtes, që shton se kjo ishte hera e parë që militantët islamik synojnë të ngjiten në ajër.

Grupi, i cili ka pushtuar pjesë të tëra toke në Siri dhe në Irak, kërkon të nisë fluturimet me avionët e rrëmbyer në aeroportin ushtarak të al-Jarrah, në Lindje të Aleppos, tha Rami Abdulrahman, i cili drejton Observatorin Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani.

“Reuters” bën të ditur se nuk ka mundur ta verifikojë këtë raportim në mënyrë të pavarur.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Amerika po bombardojnë bazat e Shtetit Islamik, si në Siri edhe në Irak. Grupi ka përdorur rregullisht armatime të rrëmbyera prej ushtrive siriane dhe irakiane, si dhe kanë mësyrë në disa baza ushtarake, por kjo është hera e parë që ata po kërkojnë të pilotojnë avionë luftarak.

“Ata kanë trajnerë pilotimi, oficerë irakianë të cilët pilotonin më parë për ish-Presidentin Saddam Hussein”, tha Abdulrahman. “Njerëzit i kanë parë të fluturojnë, ata janë ngritur disa herë nga aeroporti dhe po dalin edhe nga hapësira ajrore e tij duke u rikthyer sërish në të”, tha ai, duke cituar dëshmitarë në provincën veriore të Aleppos, pranë bazës, rreth 70 km në Jug të Turqisë.

Top Channel