Operacion antikrim në veri të Mitrovicës

17/10/2014 00:00

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kanë ndërmarrë të enjten mbrëma një operacion të gjerë kundër trafikut të drogës dhe armëve, duke bastisur shumë lokale në veri të këtij qyteti.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë forca të shumta policore, ndërsa është parë edhe shefi i njësisë operative për rajonin e veriut, Zhelko Bojiç.

Ai tha për “KosovaPress” se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve të policisë dhe pa ndonjë ekses.

Ndërsa nëndrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti e ka vlerësuar të suksesshëm aksionin policor, duke thënë se përkundër se nuk është gjetur drogë, armë apo diçka e ngjajshme, ai ka përçuar mesazhin tek qytetarët.

“Është me rëndësi që tek qytetarët është përçuar mesazhi i qartë sa i përket parandalimit të veprave të ndryshme penale”, ka thënë Hoti.

Një zyrtar policor nga stacioni i policisë në veri, i cili ka preferuar që të mos i përmendet emri, ka thënë për “KosovaPress” se policia është më e vendosur se kurrë që t’i shkatërrojë të gjitha bandat, grupet kriminale dhe rrjetet e organizuara të drogës të cilat po i bëjnë dëm qytetarëve.

Top Channel