Pas më shumë se 100 ditësh në Siri, Erion Zena është kthyer pranë mamasë së tij Pranverës.

Historia e 8-vjeçarit, që u mor nga i ati për t’u bërë pjesë e organizatës radikale islamike ISIS, u bë e njohur për publikun edhe në “Pasdite në Top Channel”, ku Pranvera i bënte thirrje të shoqit për t’ia kthyer djalin.

Rikthimi i tij u bë falë një misioni të suksesshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

***
Në përmbytjet e vitit 2011, Flamur Djala humbi gruan dhe dy vajzat e tij, por tani ka gjetur forcën për të jetuar, e madje ndihmon edhe të tjerët. Gazeta italiane “Corriere della Sera” shkruan se, tre vjet pas tragjedisë, shqiptari ndihmon njerëz të tjerë në këtë katastrofë të re të përmbytjeve në Xhenova.

***
Një grua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka fituar lirinë pas 17 viteve në burg. Susan Marie Mellen akuzohej për vrasjen e një të pastrehu.

Bazuar vetëm në rrëfimin e një dëshmitari, që rezultoi me precedentë të mëparshëm në dhënien e dëshmive të rreme, nëna e tre fëmijëve ishte dënuar për orkestrimin e rrahjes deri në vdekje të Richard Daly, një i pastrehë në zonën ku Mellen jetonte.

Nga provat e mbledhura rezultoi se vrasësit e tij ishin tre djem, të cilët gjatë kësaj kohe që gruaja vuante dënimin, ishin burgosur për vepra të tjera penale.

***
Facebook bashkon nënën shqiptare me vajzën e saj. Alma Hoxha ka gjetur të bijën pas 16 vitesh ndarjeje, për shkak se bashkëshorti ia kishte rrëmbyer.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 1998, kur të tre bashkë jetonin në Gjermani. Pas shumë kërkimesh, vajza i ka dërguar një mesazh nënës së saj Almës në ditën e ditëlindjes, duke e shndërruar në ditën më të lumtur të jetës së saj.

Mediat italiane, të cilat kanë pasqyruar lajmin, thonë se vajza jeton në Shqipëri së bashku me xhaxhallarët e saj.

Top Channel