Një “Pasdite” me Genc Salihun

17/10/2014 00:00

Genc Salihu është një kantautor i ri që është bërë i njohur tashmë edhe për publikun shqiptar pasi është një nga pjesëtarët e jurisë së “The Voice of Albania”. I ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”, muzikanti kosovar flet për aventurën e re televizive, karrierën dhe jetën e tij private.

“The Voice of Albania” – Ishte një ftesë që nuk e prisja, por u ndjeva i nderuar. Jam shumë i gëzuar që më kanë thirrur pasi kjo tregon që puna ime është vënë re. E njihja këtë format, por kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që do të isha pjesë e tij. Është një pozicion i dëshiruar nga shumëkush.

Marrëdhënia me trajnerët e tjerë – Me Elsa Lilën kam më shumë miqësi sepse jemi edhe moshatarë. Me Alma Bektashin kam një raport të mirë prej kohësh pasi e njihja më parë. Sidrit Bejlerin nuk e njihja, por më pëlqen shumë. Është sharmant.

Prurjet në “The Voice”
– Është ende herët për të dhënë mendim pasi duhen provuar edhe në disa raunde të tjera. Për momentin nuk dua të cilësoj, dua t’i jap edhe pak kohë konkurrentëve. Unë jam i kënaqur me skuadrën time.

Nevoja për “talent-show” – Mënyra si është e rregulluar industria e muzikës sot, këto emisione janë mënyra më efektive e promovimit për një talent. Ana negative është se nga “talent-show”-t del pak a shumë një lloj produkti. “The Voice” ka një koncept shumë të sofistikuar, është me trajnerë që krijojnë skuadra me dallime njëra me tjetrën. “The Voice” ofron diçka tjetër.

Familja – Ka qenë thelbësore për karrierën time. Pa mbështetjen dhe nxitjen e tyre, nuk do të isha këtu ku jam. Prindërit e mi nuk janë muzikantë, por nëna ka vesh të mirë. Ndërsa babai është marrë shumë me mua duke më ndihmuar në avancimin tim.

Politika – Unë jam pjesëtar i Partisë së Fortë. Kemi përdorur humorin për të adresuar çështjet politike në Kosovë dhe kemi sensibilizuar opinionin në lidhje me korrupsionin dhe krimin. Gjyshi im ka qenë politikan, por jam i bindur se një artist nuk ka vend në politikë. Është krejtësisht kontradiktore.

Karriera – Kam kënduar që i vogël, por kam nisur të merrem me muzikë në moshën 9-vjeçare, kur nisa të mësoja kitaren. Shumë njerëz e gjejnë veten tek muzika ime që është pak më ndryshe. Industria e muzikës e drejton shijen duke i servivur masës një muzikë të caktuar. Unë jam i interesuar për rryma të tjera që nuk janë të spikatura apo të shitura.

Frymëzimi – Më vjen natyrshëm dhe papritmas. Ka raste që të vjen dhe në situata të papërshtatshme. Vjen si uria apo etja, një nevojë e brendshme që duhet adresuar.

Tekstet e këngëve – Mundohem të jem i sinqertë dhe t’i qendis me kujdes dhe mjeshtëri artistike. Ata që e kanë dëgjuar muzikën time, i pëlqejnë tekstet e mia.

Jeta private – Për momentin nuk ka asnjë person konkret që të përqendrohet e gjithë vëmendja ime. Kaq mund të them.  

Top Channel