Nigeri, Boko Haram do lirojë vajzat

17/10/2014 00:00

Ushtria nigeriane njoftoi arritjen e një armëpushimi me militantët e Boko Haram dhe se vajzat të cilat grupi militant mban peng prej muajsh do të lirohen.

Lajmi u njoftua nga shefi i shtabit të ushtrisë nigeriane, Alex Badeh. Megjithatë Boko Haram nuk ka dalë ende me një deklaratë mbi këtë armëpushim.

Lufta mes autoriteteve nigeriane dhe militantëve ekstremistë islamikë zgjat që prej 2009-ës dhe ka shkaktuar mijëra viktima. Vetëm këtë vit kjo shifër ka kaluar 2 mijë të vdekur.

Gjashtë muaj më parë Boko Haram u vendos në qendër të vëmendjes pas rrëmbimit të 200 vajzave nga një shkollë në veri të vendit.

Mbajtja e tyre për një kohë kaq të gjatë peng ka shtuar kritikat ndaj qeverisë nigeriane mbi aftësinë për të siguruar lirimin e tyre.

Këshilltari i presidentit nigerian, Hassan Tukur tha se marrëveshja e pushimit të zjarrit u arrit pas një muaji bisedimesh të ndërmjetësuara nga Çadi. Ai tha se të enjtën Boko Haram njoftoi një armëpushim të njëanshëm dhe të premten autoritetet nigeriane iu përgjigjën me të njëjtin vendim.

“Ata na siguruan se i kanë vajzat dhe se do t’i lirojnë ato. Ne jemi shumë optimistë për këtë” deklaroi Turuk.

Megjithatë detajet për lirimin e vajzave do të diskutohen javën e ardhshme në një tjetër takim mes ekipit nigerian dhe udhëheqësve të grupit në kryeqytetin e Çadit, Ndjamena.

Sipas BBC besohet se bisedimet mes Boko Haram dhe autoriteteve nigeriane kanë marrë më parë bekimin udhëheqësit të grupit, Abubakar Shekau.

Top Channel