Dron edhe në ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu

17/10/2014 00:00

Duket se ndeshja e 14 tetorit në Beograd do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve shqiptarë e një gjë e tillë u reflektua edhe në ndeshjen e javës së 8 të Superligës mes Flamurtarit dhe Skënderbeut.

Një banderolë e tifozëve të Flamurtarit me mbishkrimin “Krenar për Kombëtaren” dhe thirrjet “Shqipëri Etnike”, ishin vetëm fillimi i festimeve në stadiumin e Vlorës. Tifozët e këtij qyteti nderuan dhe duartrokitën gjatë portierin e Skënderbeut, Orges Shehin, si i vetmi lojtar në këtë ndeshje që ishte pjesë e ekipit kombëtar në Beograd.

Por, nuk ishte vetëm kjo suprprizë e rezervuar për Shehin pasi kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, i dhuroi Shehit një bluzë mbi të cilën ishte i stampuar flamuri kombëtar dhe portreti i Ismail Qemalit. E në fund të gjithë ceremonisë, një pëllumb në këmbët e të cilit ishte lidhur flamuri kombëtar fluturoi mbi stadiumin e Flamurtarit.

Por pas tij, në fund të pjesës së parë, një dron i ngjashëm me atë që fluturoi mbi Beograd, përshkoi qellin mbi stadium duke valëvitur këtë herë flamurin kombëtar.

Ndeshja mes dy ekipeve pretendente këtë sezon nisi e barabartë, por në minutën e 11 Abilaliaj ngriti në këmbë tifozët vlonjatë duke shënuar golin e avantazhit. Por, vetëm 20 minuta më pas, Kristi Vangjeli barazoi shifrat në 1-1, rezultat i cili do të mbetej i pandryshuar deri në fund të 90 minutave, duke i dhënë nga një pikë të dy ekipeve. Me këtë rezultat, Flamurtari i bashkohet në krye të klasifikimit Kukësit me 13 pikë, ndërsa Skënderbeu bashkë me dy ekipet e kryeqytetit, Tiranën dhe Partizanin, jane me 12 pikë.

Top Channel