Rama në CNN: Gati të shkoj në Serbi

17/10/2014 00:00

Në një intervistë për gjigantin mediatik amerikan, CNN, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur mbi ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Beogradit dhe për vizitën e tij të planifikuar në kryeqytetin serb.

Zoti Rama ka theksuar edhe një herë se në planet e tij është që të shkojë në Beograd, por kjo tashmë i takon palës serbe.

Duke komentuar sërish mbi ngjarjet e ndodhura në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit në ndeshjen mes përfaqësueses serbe dhe Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë dënoi edhe një herë dhunën dhe shtoi se është fatkeqësi që ajo që ndodhi u vazhdoi në kanalet e politikës serbe.

CNN: Është vizita e parë pas kaq vitesh në Serbi. A jeni ende i vendimit se do të shkoni atje?

Edi Rama: Është hera e parë e një takimi kryeministrash mes dy vendeve, pas 68 vitesh. Pra thjesht për t’ju krijuar idenë sesa shumë probleme kemi patur në kaq vite dhe mendoj se politika nuk duhet të udhëhiqet nga një lojë futbolli. Jam i bindur se është koha e duhur për të kthyer faqen e historisë, e cila na ka mbajtur peng për kaq vite.

CNN: Pra jeni i përgatitur për të shkuar atje?

Edi Rama: Patjetër.

CNN: I sigurt?

Edi Rama: Patjetër.

CNN: Po nëse nuk ju ftojnë?

Edi Rama:
Atëherë kjo mbetet përgjegjësi e atyre.

CNN: Po nëse ata thonë “PO! Ejani!” …?

Edi Rama: Deri më tani kështu e kemi lënë.

CNN: Ju jeni një vend kandidat për në BE. Jeni aprovuar. Juve ju është dashur të firmosni dhe tani keni përgjegjësinë për të rregulluar 12 prioritetet që ju kanë lënë si “detyre”. Por nuk janë pak, drejtësia, ekonomia, bashkëpunimi…

Edi Rama: Në fakt janë vetëm 5. Janë mjaftueshëm. Se kur thua 12 ekzagjerohet shumë. Gjithsesi ato janë 5 prioritetet, por me rëndësi të madhe.

CNN: Ju kur do donit të anëtarësoheshit?

Edi Rama: Ne sigurisht që do t’ja dalim dhe “Po” ne do t’ja arrijmë. Por ne mendojmë se Europa duhet të kthehet nga Europa e frikës në Europën e shpresës. Sepse tani më shumë se kurrë Europës i duhet Ballkani, dhe jo vetëm Ballkani ka nevojën e Europës.

Top Channel