Këshillat entieuropiane të Lul Bashës

18/10/2014 00:00

Andrea Stefani – Pas incidentit të rëndë në Beograd, ku një shfrim
nacionalist serb dhunoi përfaqësuesen shqiptare të futbollit, diplomacia
e Bashkimit Europian ka vazhduar të nxisë Tiranën zyrtare që,
pavarësisht incidentit, të mos anulojë vizitën e planëzuar të
Kryeministrit Edi Rama në Beograd.

Por, përkundër kësaj përpjekjeje europiane, na shfaqet Lulzim Basha, gjoja kreu i PD-së në opozitë, që i sugjeron Kryeministrit pikërisht të kundërtën e asaj që këshillon Europa. Sipas Bashës, deklaratat e krerëve të Serbisë kanë qenë aq fyese për shqiptarët (dhe në fakt ashtu kanë qenë) sa de facto ata i kanë thënë Ramës “mos eja”! Por Basha bën sikur harron se serbët nuk e kanë thënë një gjë të tillë de jure dhe se shpesh në politikë, ajo çka nuk ekziston de jure, nuk ekziston as de facto. Dhe i këshillon Ramës të shtyjë vizitën në Beograd si për të lehtësuar serbët nga telashi i refuzimit zyrtar të kësaj vizite, që pas deklarimeve të djeshme të Kryeministrit serb Vuçiç, duket se po gatiten ta bëjnë. E thënë troç, Basha i kërkon Ramës që të anulojë vizitën në Beograd, duke bërë kështu vetiu, alibinë e serbëve, që pastaj mund t’i thonë Europës dhe botës: Janë shqiptarët që e prishën bashkëpunimin, jo ne! Kjo pozitë e Bashës është krejt e kundërt me atë të dronit fluturues në stadiumin e Beogradit. Sepse, nëse droni bëri që antishqiptarizmi i politikës serbe të dalë në sipërfaqe, “fluturimet patriotike” të Bashës tentojnë ta maskojnë atë.

***

Por cilat janë motivet e këtij qëndrimi të Bashës dhe a përputhet ai me interesat e vërteta të shqiptarëve në rajon? Nuk është e vështirë të kuptosh që prapa këtyre këshillave qëndron mjeshtri i vjetër Berisha ose “Xhepetoja” i buratinit Basha. Nga përvoja e tij, Berisha e di se bashkëpunimi mirëkuptues me ndërkombëtarët, veçanërisht lidhur me çështjet rajonale, është shumë i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e tyre afatgjatë. Rreth 14 vjet në pushtet i kanë treguar atij se sa të vështirë e kanë europianët, por edhe amerikanët, të braktisin një kryeministër a një president (edhe kur ai bën ca zullume brenda shtetit të tij) që respekton direktivat e tyre për politikën në rajonin zevzek të Ballkanit. Jo rastësisht, sa kohë ka qenë në pushtet, Berisha është angazhuar jo vetëm për përmirësimin e marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me Serbinë, por edhe të vetë Kosovës me Serbinë, duke u përpjekur të krijojë tek amerikanët dhe ndërkombëtarët kultin e liderit mbarëshqiptar në rajon dhe mentorit të liderëve shqiptarë në Kosovë e Maqedoni. Madje, në një moment, punët arritën deri në atë pikë sa edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ndie aq i bezdisur nga futja prej Berishës e hundëve në punët e Kosovës, sa iu ankua për këtë gjë amerikanëve.

 

***

Korrekt me ndërkombëtarët për sa i përket politikës në rajon, i gatshëm për të kontribuuar me trupa në Afganistan dhe Irak sipas kërkesave të koalicionit ndërkombëtar, më shumë se i zellshëm edhe për të strehuar ujgurë sipas nevojave të SHBA-së, Berisha ia ndjeu për shumë vjet lezetin mbylljes së syve nga BE-ja dhe SHBA-ja për autokratizmin dhe korrupsionin e qeverisjeve të tij vetëm pse diplomacia shqiptare e instruktuar prej tyre, kish bërë që Republika e Shqipërisë të shndërrohej gradualisht në një faktor paqeje në rajon. Por befas, andej nga fundi i mandatit të dytë, duke qenë i qartë se 8 vjet qeverisje plot korrupsion e kishin bërë të humbiste shumë elektorat, si edhe për përpjekjet që po bëheshin për ta larguar edhe LSI-në nga koalicioni i tij qeverisës, Berisha u vu në kërkim të zgjidhjeve të reja që do t’i mundësonin një mandat të tretë radhazi. Dhe këtë fluks të ri votash, që shpresonte ta mbanin në pushtet, u përpoq ta gjejë te nacionalizmi duke galvanizuar ndjenjat nacionaliste etnike të shqiptarëve. Por pikërisht, nacionalizmi, që e kish shpresuar si gomën e shpëtimit, u bë një ndër faktorët kryesorë të disfatës së thellë të tij më 23 qershor 2013 dhe e mbytjes së varkës së pushtetit të tij. Sepse, duke kaluar në pozitat e nacionalizmit, Berisha humbi atë mbështetje të ndërkombëtarëve që e kish mbajtur në pushtet, pavarësisht korrupsionit apo manipulimit të zgjedhjeve.

 

***

Kështu, pasi ka provuar disfatën që të sjell kalimi në pozitat e nacionalizmit etnik, Berisha, që ëndërron të rikthehet në pushtet sa më shpejt edhe për të stopuar antikorrupsionin që e kërcënon, rreket ta shtyjë Edi Ramën të bëjë të njëjtin gabim fatal që bëri edhe vetë, të kalojë në pozita nacionaliste duke zhgënjyer BE-në dhe SHBA-në. Prandaj komploton për të krijuar një atmosferë “patriotike” që do ta kompleksonte Ramën deri në anulimin e vizitës. Hiqet sikur për herë të parë njihet me shovinizmin e zyrtarëve të lartë serbë dhe incidentin në stadiumin e Beogradit e shet sikur të jetë shumë herë më tragjik sesa masakra që serbët bënë vite më parë në Reçak. Prandaj ka mobilizuar media, llafollogë deri faqe interneti, që ta shpallin tradhti vajtjen e Ramës në Beograd. “Rama si qen i rrahur në Beograd” ishte një nga kryetitujt e gazetës “RD” këto ditë. Prandaj nxori edhe Bashën dje t’i këshillojë Ramës të mos shkojë në Beograd. Një këshillë që u shkon për shtat krerëve nacionalistë serbë për ta bërë Kryeministrin Rama dhe Republikën e Shqipërisë, fajtorë para ndërkombëtarëve për prishjen e një vizite që qartazi nuk e duan. Por një këshillë që i vjen për shtat edhe Berishës në ambicien e tij të panginjshme për pushtet. Dhe nuk është rasti i parë që interesat politike të shovinistëve serbë dhe Berishës përkojnë. Ndërkaq, vendimi i Kryeministrit Rama për ta bërë vizitën në Beograd, përveç dedikimit ndaj një diplomacie të re europianizuese për Ballkanin, është politikisht korrekt. Le ta prishin vizitën pikërisht ata që nuk e duan. Duke marrë mbi vete edhe përgjegjësitë.

Top Channel