Viktimat e trafikut njerëzor në BE

18/10/2014 00:00

Trafiku i personave mbetet një aktivitet kriminal shumë aktiv në vendet e Bashkimit Europian që çdo vit regjistron mijëra viktima.

Një raport i Bashkimit Europian thotë se vetëm në 3 vitet e fundit janë regjistruar 30.146 viktima të trafikut, ku 80 përqind e tyre janë femra dhe 69 përqind shfrytëzohen për prostitucion. Shifra alarmante janë regjistruar edhe sa i përket fëmijëve të trafikuar për këtë qëllim, mbi 1 mijë.

Sipas raportit dy të tretat e viktimave janë shtetas të Bashkimit Europian, ndërsa Nigeria dhe Kina kryesojnë listën e vendeve joanëtare.

Komisionerja e Çështjeve të Brendshme, Celcia Malmstroem tha se lufta ndaj kësaj skllavërie të kohërave moderne ka patur përparim, por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë.

“Nuk pretendojmë se kemi parandaluar këtë trafik, por duhet të vazhdojmë punën në mënyrë të palodhur jo vetëm në Europë, por edhe përtej saj”, deklaroi Malmstroem.

Nga 2010 deri në 2012 vendet e Bashkimit Europian hetuan 8551 persona për trafik, nga të cilët 3786 u dënuan. Në raport i kushtohet rëndësi të veçantë formave çnjerëzore të trafikut. Një rrjet kriminal bullgar trafikonte femrat shtatzëna në Greqi, ku pasi lindnin i detyronin të jepnin foshnjet e tyre për adoptim tek çiftet grek. Gjashtë persona u arrestuan në Bullgari si pjesë e këtij rrjeti dhe pesë të tjerë në Greqi.

Top Channel