“Darka e Lamës” bashkon politikën kosovare

18/10/2014 00:00

Atë që nuk kanë mundur ta bëjnë për katër muaj, duke mbajtur vendin në një ngërç politik që pas zgjedhjeve të 8 qershorit, udhëheqësit politike të Kosovës e realizojnë dy herë brenda 24 orëve, por jo për të folur për ngërçin.

Fillimisht mbrëmjen e së premtes kreu i PDK-së, Hashim Thaçi ka shtrënguar duart me udhëheqësin e LDK-së, Isa Mustafa. Krerët e dy blloqeve politike janë parë së bashku në një lokal në qendër të Prishtinës, në një organizim të Ambasadës Amerikane për nder të vizitës së senatorit Christopher Murphy.

Bashkë me Thaçin e Mustafën në të njëjtin lokal ka qenë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e cila po ndërmjetëson bisedimet mes subjekteve për të gjetur një zgjidhje për ngërçin politik.

Takimi i dytë ka qenë akoma më shumë gjithpërfshirës. Të shtunën në mesditë në qendër të Gjakovës gjatë aktivitetit tradicional të presidentes “Darka e Lamës”, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj kanë komunikuar së bashku me presidenten Jahjaga.

Top Channel