“Shqipëri-Serbi, shikoni nga e ardhmja”

18/10/2014 00:00

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë Monica
Macovei, duke komentuar në një intervistë për Top Channel zhvillimet mes
Shqipërisë dhe Serbisë thotë se të dy popujt duhet të lënë pas të
shkuarën dhe të shikojnë drejt të ardhmes.

Si mbikëqyrese e reformes se drejtesise ne Rumani, Macovei deklaron se ajo qe duhet bere eshte zbatimi i ligjeve dhe dergimi ne brug i kujtdo qe kryen krime, edhe i zyrtareve te larte siç ka ndodhur edhe ne Rumani.

Top Channel
: A i keni ndjekur debatet e ditëve të fundit mbi çfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit, por dhe zhvillimin e ngjarjeve pas ndeshjes përsa i takon minoritetit shqipëtar në Serbi?

Monica Macovei: “Unë mund të flas vetëm për të ardhmen dhe e vetmja zgjidhje për të ardhmen është paqja dhe mirëkuptimi dhe nëse ka pakica, sikundër ekzistojnë minoritete në secilin vend, atëherë, ata duhet të jenë të mbrojtur. E kuptoj që ka ende ndjenja të vrara megjithëse ka kaluar shumë kohë prej atëherë. E kam parë këtë sepse kam punuar në Kosovë, por edhe në Serbi, e jam neutrale ndaj gjithë kësaj. Thjesht dua që njerëzit të jetojnë në paqe e të ndalojnë këto akte sulmi, këto lloj krimesh, e gjithë këtë urrejtje. Të gjithë jeni qënie njerëzore e duhet të mësoni të toleroni të tjerët,  të jetoni me ta, edhe nëse nuk i doni. Kjo nuk duhet të shprehet hapur e në mënyrë të dhunshme. Kjo është qasja ime.

Reforma në sistemin e drejtësisë
Macovei: Do të asistojmë, zyrtarët e korruptuar duhet të shkojnë në burg

Top Channel: Tashmë ju do të merreni me Shqipërinë, çfarë duhet të presë Tirana zyrtare nga ju? Përfaqësoni njeriun që kreu reformën e gjyqësorit në Rumani, dhe kjo çështje përbën ndërkohë një prej 5 prioriteteve kyçe për vendin në rrugën drejt BE-së.

Macovei: Kështu që ata duhet të presin që unë të insistoj për këtë, për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, kundër krimit në përgjithësi, kundër pastrimit të parave, kundër trafiqeve dhe e dimë se këto krime ekzistojnë në Shqipëri, sikundër dhe në Ballkan. Unë do të insistoj për kêto, por dhe për ligje të mira, e zbatimin e tyre çfarë është më e rëndësishme, sepse në shumë vende bëhet plotësimi në letër për ligje që nuk zbatohen kurrë, apo që nuk zbatohen siç duhet. Kjo është çështje kyçe dhe nënkupton se ka prokurorë dhe gjyqtarë të guximshëm e profesional, të cilët mund të zbatojnë ligjet pavarësisht nëse kanë përballë ministra, kryeministra, deputetë, kryebashkiakë, apo kushdo tjetër. Kjo është ajo çfarë bëra në Rumani. I dhashë fuqinë gjyqësorit për të qenê i pavarur, po kështu prokurorisë dhe zyrës kundër korrupsionit. Tashmë, ne kemi ish kryeministra, ministra aktual apo ish-ministra, ish- deputetë, ish-kryebashkiakë, prokurorë apo gjyqtarë që vuajnë dënimin në burg  për korrupsion apo veprimtari të tjera kriminale. Vjen një moment kur hetuesit dhe gjykatësit vlerësojnë se ‘Po, ne mund ta bëjmë këtë, madje dhe pa politikanët, sepse për një kohë të gjatë kjo nuk ka ndodhur’. Kështu që më së pari për t’u bërë për ta vënë vendin në shinat e duhura është të paturit e një drejtësie të pastër, sepse me anë të saj, pastrojmë të gjitha sistemet e tjera. Sigurisht, unë do të shoh të gjitha aspektet e tjera të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe dëshira ime është ta mbështes Shqipërinê përgjatë rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Jam për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit.

Top Channel: Kur do ta vizitoni Shqipërinë?

Monica Macovei: E kemi shtyrë, por për momentin nuk kemi asnjë datë për 2014, por ju do informoheni në kohë kur të fiksojmë një datë. Por e njoh Shqipërinë, falë disa misioneve që kemi bërë kur punoja për Këshillin e Europës duke trajnuar disa gjyqtarë e prokurorë, staf administrate apo gazetarë mbi Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pak vite më parë isha në misionin kundër korrupsionit atje për llogari të Komisionit Europian. Kështu që kam ardhur shpesh në Shqipëri, është një vend i këndshëm dhe unë mezi pres të shkoj sërish atje dhe të punoj me zyrtarët dhe qytetarët shqiptarë.

Pergatiti: ARTA TOZAJ

Top Channel